Portali europian “Politico” thekson në një artikull të tij sot se ekziston një plan i presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për të “shkatërruar” Ursula von der Leyen, duke vendosur në pozicionin e saj kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Sipas Politicos, e cila citon diplomatë dhe zyrtarë evropianë në kushte anonimiteti, presidenti i Këshillit Evropian, në bisedimet e tij me krerët e vendeve anëtare të BE-së, promovon idenë që Kyriakos Mitsotakis të marrë vendin e Von der Leyen në krye të Komisionit Evropian.
Diplomatët dhe zyrtarët të tjerë europiane e quajnë gjithë këtë një tjetër përpjekje të dëshpëruar për të rrëzuar von der Leyen. “Në rastin më të mirë kjo krijon bezdi, në rastin më të keq , është destabilizuese.”- thonë ata.
Të njëjtat burime, megjithatë, flasin për një “përpjekje të dëshpëruar” duke marrë parasysh faktin se edhe vetë Mitsotakis vazhdimisht ka mohuar se është i interesuar për zyrën evropiane, ndërsa së bashku me Donald Tusk ka ndërmarrë iniciativa për rizgjedhjen e zonjës von der Leyen në krye të Komisionit Evropian.
Sipas agjencive ndërkombëtare, menjëherë pas zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, dyshohet se ka pasur një marrëveshje joformale brenda BE-së që Von der Leyen duhet të sigurojë një mandat të dytë në Komision dhe portugezi Antonio Costa duhet të marrë rolin e presidentit të ri të Këshillit të BE-së.
Michel duket se insiston megjithatë në paraqitjen e alternativave ndaj kandidaturës së von der Leyen dhe në këtë kontekst, ka paraqitur kryeministrin grek si pasardhës të mundshëm të gjermanes von der Leyen në Komision dhe kryeministren daneze, Mette Frederiksen, si alternativë për kandidaturën e Kostës.
Gjithsesi burime pranë Charles Michel, kanë nxituar të mohojnë gjithë këto zëra dhe të konsiderojnë publikimin e Politico-s si “fake news”.
Top Channel