Konstituohet Komisioni Antikorrupsion, PD bojkoton mbledhjen, Spiropali: Dora jonë mbetet e shtrirë për deputetët e opozitës

14/06/2024 13:19

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të konstituimit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin e Shqipërisë, Elisa Spiropali i bëri thirrje anëtarëve të opozitës që të jenë pjesë e komisionit dhe t’i lënë debatet politike mënjanë.

“Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion do t’i japë hov më tej kësaj faze. Vazhdimësia drejt integrimit do të kërkojë plotësimin e reformave. Një nga sfidat kryesore lidhet me domosdoshmërinë për plotësimin e reformave, siç është reforma në drejtësi dhe reformën në administratën publike. Këto masa vijnë si manifestim dhe si besim i joni, se për këtë çështje duhet qasje kombëtare dhe gjithëpërfshirje. Në BE nuk integrohet qeveria, por shteti shqiptar. Dora jonë për deputetët e opozitës, mbetet e shtrirë. Debatet politike mbahen mend përkohësisht. Dialogu konstruktiv me aktorë të tjerë shoqërorë në vend përbën një qasje të re dhe të nevojshme për një cilën të ri reformimi të rolit të Kuvendit” , theksoi Spiropali.

Të njëjtën thirrje bëri edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, duke shprehur keqardhje për bojkotimin, ndërsa theksoi se ky komision ka gjithëpërfshirje dhe asnjë ngarkesë politike.

“Ky komision ka një mision të rëndësishëm kombëtar, ky mision është i lidhur me përgjegjësitë që Kuvendi ka ngarkuar për të kontribuar në kurorëzimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian nëpërmjet mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Jam këtu për t’ju garantuar se komisioni do të ketë mbështetjen e kuvendit. Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike në këtë ngarkim duke qenë se ky komision ka gjithëpërfshirje, shpreh keqardhje që kolegët e opozitës nuk janë prezente”, tha Nikolla.

Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj theksoi se ky komision do të synojë të adresojë çështje me rëndësi jetike që shkojnë përtej interesit të partive.

“Ky komision do të synojë të adresojë çështje me rëndësi jetike që shkojnë përtej interesit të partive tona, i shërbejnë forcimit dhe modernizmit të shtetit, të ardhmes së vendit tonë. I keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur këtij detyrimi të përbashkët. Kam bindjen se do të jetë një proces gjjthëpërfshirës”, deklaroi Xhafaj.

Grupi parlamentar i PD, dy javë më parë e bojkotoi votimin e  ngritjes të këtij komisioni me një mandat 10 mujor, ku në përbërje janë 6 deputetë socialistë dhe 5 nga opozita.

Ky komision do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj me anëtarët socialistë Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu.

Ndërkohë që opozita e bojkoti votimin e ngritjes të këtij komisioni shumica socialiste caktoi të jenë anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Tyli Çupi, Sorina Koti, Flutura Açka dhe një vend bosh për nënkryetarin e komisionit.

Burime nga grupi parlamentar i PD i thanë Top Channel se tashmë do të jetë Sali Berisha ai që do të vendosë në mënyrë përfundimtare për pjesëmarrjen në këtë komision.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA