Vepra e mjeshtrit të shekullit të 16-të Titian pritet të arkëtojë nga 15 deri në 25 milionë dollarë në ankandet Christie’s.
Një pikturë e lakmuar e mjeshtrit të epokës së Rilindjes, Titian, e raportuar e vjedhur në vitin 1809 dhe më pas përsëri në 1995 – po nxirret në ankand pasi është gjetur brenda një qeseje në një ndalesë autobusi në Londër.
Piktori i famshëm Venecian besohet se ka pikturuar kuadrin “Pushim gjatë rrugës për në Egjipt” në vitin 1508 kur ishte vetëm 20 vjeç. I pikturuar në një panel të drunjtë rreth 70 cm të gjerë, punimi përshkruan virgjëreshën Mari duke mbajtur Jezusin e vogël teksa Jozefi është duke i shikuar.
Vepra është dokumentuar fillimisht nga një tregtar Venecian erëzash në fillim të shekullit të 17-të dhe më pas është zotëruar nga disa aristokratë e familje mbretërore të Evropës.
Pikura raportohet se është vjedhur dy herë gjatë historisë së saj, fillimisht nga pallati Belvedere në Vienë nga ushtria e supozuar e Napoleon Bonaparte dhe më pas në vitet 1990-të nga pallati aristokrat britanik Longleat House, selia e markezit të Bath, në lindje të Anglisë.
Në faqen e ankandeve Christie’s thuhet se piktura vlerësohet për “skenën familjare të përshkruar me ngjyra të ndezura dhe me sfondin natyral prapa subjekteve njerëzore”.
Pesë vjet pas zhdukjes së fundit në 1995 piktura u gjet nga policia në një qese plastike, në një ndalesë autobusi në Richmond pranë qendrës së Londrës, shkruan The Guardian.
Top Channel