“Lagja e Artistëve” te Komuna e Parisit është transformuar në një hapësirë funksionale për komunitetin nga Bashkia e Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve dhe u shpreh se, me investimin e bërë, “Lagjja e Artistëve” merr mbrapsht atë çfarë i ka dhënë Shqipërisë në kaq shumë vite, duke përmendur kontributin në fushën e artit dhe kulturës.
“Unë besoj se një lagje që ka prodhuar kaq shumë për vendin, kur kujtoj se këtu kanë pasur studiot e tyre artistët Kristaq Rama, pastaj familja Krisiko, Rira, e shumë të tjerë, vërtet mendoj se i kemi dhënë lagjes mbrapsht atë që lagjja ka i dhënë me shumë bujari gjithë Shqipërisë për vite me radhë. Po ndërtohen ndërtesa të reja, është pjesë e gjithë zonës së “Komunës së Parisit”, kështu që duam të vazhdojmë me ndërhyrjet nëse banorët kanë dëshirë që pallatet e vjetra t’u bëjnë ndonjë investim shtesë, të tipit veshje me kapotë apo ashensor”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku falënderoi punonjësit e bashkisë për punën e mirë të bërë me rehabilitimin e lagjes. “Dua të falenderoj kolegët që kanë punuar. E di që në Tiranë pjesa më e madhe do të shkojë për pushime në korrik, gusht, por kush ka marrë punë përsipër do rrijë këtu me mua, që t’i çojmë deri në fund.
Më tej, Veliaj u ndal edhe te hapësirat kushtuar artit në kryeqytet.
“Investimi në art prodhon ekonomi. Di të them se për çdo një qindarkë që kemi investuar në art e në kulturë, ka prodhuar shumëfish në turizëm, me shpenzimet e tjera dhe rritjen e vlerës së pronës”.
Top Channel