Gjykata e Durrësit, numri i pakët i gjyqtarëve dhe godina e pamjaftueshme cenojnë dhënien e drejtësisë

13/06/2024 19:42

Në Durrës, mungesa e hapësirave dhe mbingarkesa e gjyqtarëve po dëmton procesin e dhënies së drejtësisë për qytetarët.

Mesatarisht, një gjyqtar zhvillon mbi 20 seanca gjyqësore në ditë. Në një komunikim me median, zëvendëskryetari i Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, Paulin Çera, shpjegoi sfidat e përditshme dhe pasojat e bojkotit një javor nga avokatët që çoi në shtyrjen për vjeshtë të qindra seancave gjyqësore.

“Organika e Gjykatës e miratuar nga KLGJ parashikon 23 gjyqtarë, por aktualisht janë efektivë vetëm 11 gjyqtarë. Gjykata punon me gjysmën e kapacitetit në burime njerëzore dhe ngarkesa e çështjeve është gjithnjë në rritje”, shprehet zëvendës/Kryetari i Gjykatës, Paulin Çera.

E ndërtuar në fillim të viteve ’70, gjykata e Durrësit nuk i përmbush nevojat e një gjyqësori efikas. Situata u përkeqësua pas zgjerimit të juridiksionit të Gjykatës që mbulon tashmë 4 bashki, duke ngarkuar gjyqtarët dhe administratën përtej standardeve normale të punës.

“Kjo gjykatë nuk i përmbush standardet për dhënien e drejtësisë. Nuk ka as dhoma këshillimi dhe gjyqtarët kalojnë mes përmes palëve. Gjykata ka 23 gjyqtarë dhe po aq salla duhet të ketë, në kushte ideale, por aktualisht janë vetëm 4 salla”, thotë Çera.

Në shtator pritet që seksioni civil të transferohet në ish-godinën e Gjykatës së Apelit në Durrës, por kjo masë konsiderohet e pamjaftueshme. Pa një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme, mungesa e ambienteve dhe ngarkesa e gjyqtarëve do të vazhdojnë të pengojnë dhënien e drejtësisë në Durrës, në dëm të qytetarëve dhe sistemit gjyqësor në tërësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA