Mandatari për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se qeveria që ai do të udhëheq do të respektojë në tërësi marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë atë me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut.

Mickoski e tha këtë duke komentuar rekomandimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian se Shkupi duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Marrëveshja është marrëveshje e arritur ndërmjet të paktën dy palëve, dhe të dyja palët duhet ta respektojnë atë. Nëse konkretisht e keni fjalën për Marrëveshjen e Prespës, ne si qeveri e ardhshme e respektojmë deri në detaje, gjithçka që është pjesë e legjislacionit tonë, në Kushtetutë, respektohet në detaje dhe këtu nuk duhet të ketë dilema”, tha Mickoski.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 22 maj se SHBA-ja pret që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën evropiane duke respektuar marrëveshjet e arritura me shtetet fqinje.

Gjatë një interviste për Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik, Escobar u pyet nëse pas fitores së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj dhe shqetësimit në rritje për Marrëveshjen e Prespës, a beson ai ende se rruga drejt Evropës do të vazhdojë.

“Po. Unë mendoj se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia bënë shumë të qartë qëndrimin presidentes pas inaugurimit, se ne presim plotësisht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, të angazhohet, të vazhdojë të jetë një anëtare e përkushtuar e NATO-s, dhe ne morëm garanci nga të gjitha nivelet e kryesisë partiake të partisë kryesore [VMRO-DPMN] që fitoi zgjedhjet, se do të mbeten të përkushtuar në rrugën evropiane”, tha Escobar.

Por, Mickoski tha se edhe pala greke duhet të respektojë detyrimet e saj që dalin nga kjo marrëveshje e që kanë të bëjnë me mospengimin e procesit të integrimit euroatlantik dhe në institucionet tjera ndërkombëtare, mospërdorimin e termit “Shkupi” për Maqedoninë e Veriut, zëvendësimin e tabelave udhëzuese në territorin grek, e çështje tjera.

“Në të njëjtën kohë pres që edhe nënshkruesi i dytë, që është fqinji ynë jugor, t’i respektojë. Ne kemi krijuar një dokument se sa është zbatuar nga ana jonë dhe sa është zbatuar nga pala greke dhe planifikojmë t’i prezantojmë të gjithë ata që janë kureshtarë të dinë se sa e respektojnë të dyja palët marrëveshjen bilaterale ndërkombëtare”, tha Mickoski.

Ai tha se pret që të gjithë “partnerët strategjik” të Maqedonisë së Veriut, që janë pjesë e atyre marrëveshjeve “t’i respektojnë ashtu siç i respektojnë edhe autoritetet maqedonase”.

Marrëveshja e Prespës është arritur në vitin 2018 mes ish-kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA