Komentet e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, me sinjalet se Ukraina nuk ka gjasa të bëhet anëtare e NATO-s gjatë luftës së saj për të zmbrapsur trupat pushtuese ruse, nuk janë një ndryshim në pozicionin e Uashingtonit për këtë çështje përpara një samiti kyç për liderët e aleancës ushtarake, tha për Radion Evropa e Lirë një diplomat i lartë i Departamentit të Shtetit.
Në një intervistë të zhvilluar më 28 maj dhe të publikuar nga revista Time, Biden duket se sugjeroi se nuk e mbështet më anëtarësimin e Ukrainës në NATO, një ndryshim nga qëllimet e deklaruara më parë nga Uashingtoni dhe vetë aleanca.
Por James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, i tha Radios Evropa e Lirë më 11 qershor gjatë një vizite në Armeni se “interpretimet filluan të dalin” nga kuptimi i komenteve të Bidenit dhe se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.
“Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin tonë. Unë mendoj se atë që tha presidenti, nëse mund të parafrazoja, ai tha se nuk beson në anëtarësimin e Ukrainës në NATO tani,” tha O’Brien.
“Pozicioni ynë, me të vërtetë… është se Ukraina do të jetë në aleancë kur ta lejojnë kushtet”, tha ai.
Në intervistën e gjerë të 4 qershorit në Time, Biden tha se “paqja duket si të sigurohesh që Rusia të mos pushtojë kurrë, kurrë, kurrë, kurrë Ukrainën. Kështu duket paqja”.
Por, shtoi ai, “kjo nuk do të thotë NATO, [që] ata janë pjesë e NATO-s.”
O’Brien shtjelloi më tej duke thënë se Biden po i referohej samitit të NATO-s në korrik kur deklaroi se ai “nuk ishte i përgatitur” për të mbështetur anëtarësimin e Ukrainës.
“Do të jetë e qartë se Ukraina duhet të ndërmarrë disa reforma dhe do të duhet pak kohë për të përshtatur ushtrinë e saj nga ajo që kishte qenë përpara pushtimit të mëtejshëm të Rusisë, me atë që do të duhej për të qenë pjesë e NATO-s”, tha ai.
“Dhe ne do të parashtrojmë [në samit] se si NATO do të ndihmojë Ukrainën për t’u përgatitur. Pra, ne po flasim për disa hapa,” shtoi ai.
NATO tha në deklaratën përfundimtare të samitit të vitit të kaluar në Vilnius se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO” dhe ka indikacione se samiti i ardhshëm i aleancës në Uashington muajin e ardhshëm do të përforcojë mesazhin e mbështetjes për anëtarësimin eventual të Kievit.
Në reagim ndaj intervistës së Biden, një burim i NATO-s i cili foli në kushte anonimiteti i tha Radios Evropa e Lirë se “kuptimi im është se linja amerikane ka qenë dhe është ende që Ukrainës t’i ofrohet “një urë për anëtarësimin në NATO”.
O’Brien u bëri jehonë këtyre komenteve, me Ukrainën që mbetet një aleate e NATO-s në të ardhmen e afërt ndërsa përgatitet për një afat më të gjatë.
“Ne po flasim për ndihmën e NATO-s në ndërtimin e forcës së ardhshme të Ukrainës, në mënyrë që ajo të dijë se ka një ushtri të aftë për të penguar dhe zmbrapsur agresionin e mëtejshëm rus, por gjithashtu se NATO do të ndihmojë në reformat e Ukrainës”, tha O’Brien./Rel
Top Channel