Liderë politikë e diplomatë shqiptarë e të huaj pohuan në Prishtinë se Kosova duhet të marrë vendin e saj në familjen euro atlantike, por për këtë, është e nevojshme që vendi të ruajë aleancat me perëndimin.
Gjatë konferencës me temën “Rugova dhe perëndimi”, e cila u organizua nga Lidhja Demokratike e Kosovës në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të çlirimit të vendit, ish kryeministri italian Massimo D’Alema, u shpreh se trashëgimia e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova është sot më e domosdoshme se kurrë më parë.
“Një kohë shumë e gjatë ka kaluar që atëherë dhe Kosova ka bërë shumë hapa përpara, por jemi ende larg nga qëndrueshmëria dhe bashkëpunimi në rajonin e Ballkanit, që përbënin edhe qëllimin e Ibrahim Rugovës, dhe pa të cilat është e vështirë për Kosovën të arrijë të shoh statusin e saj si një vend i pavarur plotësisht të njohur, dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Rreziku sot është që ripërtëritja e tensioneve në planin ndërkombëtar do të pasqyrohet në realitetin e Ballkani..Më shumë se kurrë rajoni ka nevojë për atë që do ta quaja shpirti i Rugovës, që nënkupton aftësinë e udhëheqësve të ngrihen për popullin e tyre pa rënë pre e nacionalizmi”, tha Massimo D’Alema-ish kryeministër i Italisë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier ishte në një linjë mendimi dhe nënvizoi se është koha që Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare të reflektojnë mbi interesat strategjike.
“Mund ta pranoj se pak nga ajo ku ne duam ta shohim Kosovën të përparojë po pengohet nga disa prej vet zgjedhjeve tona. Por kjo nuk e çliron udhëheqjen aktuale dhe asnjë udhëheqje tjetër nga përgjegjësia e vet, të gjithë mund dhe duhet të bëjmë më mirë. Të gjithë kemi një vizion, që besoj së pari është artikuluar nga presidenti Rugova, për një Kosovë që merr vendin që i takon, që integrohet plotësisht në të gjitha strukturat evropiane, që sillet dhe trajtohet për çfarë është në fakt – një vend sovran, demokratik, shumëetnik”, u shpreh Hovenier.
Pak ditë më parë, Hovenier u ankua se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së po përballen me mosmarrëveshje rreth vendimeve politike të qeverisë aktuale të Kosovës dhe shpërfillje të këshillave të qeverisë amerikane në raport me komunitetin serb në Kosovë.
Top Channel