I shpëtoi dy atentateve dhe siguroi informacione për tri ‘koka’ të krimit/ Arrestohet në Itali Aleks Ndreka, në kërkim ndërkombëtar gjatë “Metamorfozës”

10/06/2024 15:00

Ka marrë fund arratia e Aleks Ndrekës të shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Posaçme pas operacionit “Metamorfoza”.

Falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Romës ai u lokalizua dhe arrestua në aeroportin e Malpensas në Milano.

47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që pre korrikut të vitit të kaluar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndreka ka pasur rol për të siguruar informacione për vendndodhjen e Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Genc Tafilit.

Edhe vetë Ndreka ka qenë në objektiv të sulmeve me armë ku i ka shpëtuar dy atentateve më 2020 dhe 2022.

“Kapet në Milano dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 47-vjeçar i akuzuar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje.

Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit A. N., 47 vjeç.

47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit A. N., në Shqipëri”, sipas njoftimit të policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA