Akuza ndaj deputetit Qani Xhafa/ GJKKO shpall të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Elbasanit, kthen aktet për verifikim

10/06/2024 11:03

Gjyqtari Antikorrupsion Erjon Çela shpalli  gjatë shqyrtimit në themel si absolutisht të pavlefshme një sërë veprimesh hetimore të prokurorisë  dhe më pas edhe të gjykatës së Elbasanit, që nga maji 2023 deri  20 maj 2024, hetuan dhe gjykuan një deputet të parlamentit.

Ligji i pengonte të dyja hallkat e drejtësisë të  ngrinin akuzën e drejtimit të automjetit në gjendje të parregullt, ndaj Qani Xhafës apo që gjyqtari paraprak në Elbasan të aprovonte hetimet, mbasi deputeti  është mes kompetencave të SPAK.

Kjo do të thotë se prokurori i SPAK Sotir kllapi duhet të kryejë tre veprime njoftim akuze,  mbyllje hetimesh dhe dërgim të çështjes në gjykatë.

Këto veprime ishin kryer në Elbasan  nga marsi 2023 kur një akt ekspertizë provoi se Xhafa kishte shkelur kodin rrugor dhe ndaj ju komunikua akuza në të njëjtin qytet.

Gjyqtari paraprak ja përcolli themelit deputetit sërish në Elbasan dhe kur palët u gjendën përballë për të shpallur konkluzionet, një gjyqtar tjetër deklaroi moskomopetencën me argumentin se Qani Xhafa duhej gjykuar në Tiranë.

Por procesi ndaj deputetit nuk mund të hapet me akte të pavlefshme të cilat marrin fuqi kur të firmosen  nga fillimi prej Spak. E para lëvizje që do të bëjë Spak është thirrja e deputetit dhe njoftimi i akuzës.

Problemet e tjera më pas do ti ngelen sërish gjykatës , që pritet të haset me pretendimin e përfundimit të afateve tre mujore për ushtrim të ndjekjes penale. Çështja e mandatit nuk është problem dhe është në varësi të marzhit të dënimit të të akuzuarit.

Për shkak se deputeti kërkoi gjykim të shkurtuar në Elbasan kjo do të thotë se nëse e bën të njëjtën gjë këtu, dhe nëse shpallet fajtor ai fiton dënimin punë me interes publik që nuk konsiderohet dënim ashtu siç ka ndodhur edhe me kryebashkiakë tjerë njëlloj të dënuar dhe që vazhdojnë detyrën.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Në datën 24.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen penale me Nr. 81 Regj. Them. në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291/1 i K.Penale. Kjo çështje penale është regjistruar mbi bazën e vendimit Nr. 291 dt. 20.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me anë të së cilit ndër të tjera është vendosur: 1. Shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291/1 i K.Penale. 2. Dërgimin e çështjes gjykatës kompetente, Gjykatës Së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 3. Kundër Këtij vendimi lejohet ankim sëbashku me vendimin përfundimtar”.

2. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin Nr. 35 datë 10.06.2024, vendosi:

1. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit datë 31.05.2023 “Për njoftimin e akuzës” i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

2. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit datë 31.05.2023 “Për përfundimin e hetimeve” i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

3. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan datë 25.05.2023 me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal 299 datë 11.03.2023 në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291 /1 i K.Penal”.

4. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit datë 20.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vendimi i gjyqtarit të seancës paraprake.

5. Kthimin e akteve që i përkasin procedimit penal nr. 299 datë 11.03.2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga nenet 291/ 1 të K.Penal, Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vazhduar hetimet si prokuroria që ka kompetencën lëndore.

6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

Tiranë, më datë 10.06.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA