“Fiks Fare” dhe denoncimet e tij për shkatërrimin që i bëhet çdo ditë mjedisit, kanë tërhequr vëmendjen e UNESCO-s.
Për herë të parë në historinë e UNESCO-s, flitet për raportimet e një medieje shqiptare. “Shtypi dhe planeti në rrezik” quhet raporti prej dhjetëra faqesh, i publikuar në 22 maj 2024 nga organizata më e madhe botërore e mbrojtjes së mjedisit, UNESCO.
Në fokus janë gazetarët nga e gjithë bota që kanë ndjekur çështjet më të nxehta mjedisore. Mes raportimeve të 16 gazetarëve nga e gjithë bota, është edhe raportimi i gazetares së “Fiks Fare”, Antela Lika, e cila me grupin e saj të xhirimit, u kërcënua me armë teksa raportonte për masakrën që bëhej në lumin Zezë në Nikël të Krujës. Investigimi i “Fiks Fare”, i publikuar një vit më parë në Top Channel, solli fakte mbi gërryerjet e paligjshme të lumit Zezë dhe marrjen e materialeve inerte.
Grupi i xhirimit i “Fiks Fare” u përball me persona me armë, të cilët qëllonin drejt dronit që xhironte masakrën në lumin Zezë. Tre persona të armatosur u përballën me grupin e xhirimit, duke e kërcënuar që të mos xhironin, duke pretenduar se lumi ishte pronë e tyre. Personat e maskuar dhe të armatosur kërcënuan me jetë grupin e xhirimit, tentuan të merrnin me forcë kameran dhe filmimet e kryera nga gazetarja, madje dhe goditën një pjesëtar të grupit të xhirimit.
Ky investigim i “Fiks Fare” kryesonte listën e ngjarjeve të pasqyruara nga UNESCO në raportin e tij, ku theksohej se në 50 vitet e fundit, kanë humbur jetën 44 gazetarë gjate raportimeve të tyre mbi çështje të nxehta mjedisore dhe ka pasur 750 sulme kundër gazetarëve dhe organizatave informative që merren me çështje mjedisore.
Gazetarja e “Fiks Fare”, Antela Lika, cilësohet në këtë raport si e vetmja gazetare për Evropën Juglindore që ka investiguar rastet e shkatërrimit të mjedisit nga dora e njeriut. Pra, për herë të parë, UNESCO pasqyroi problemet me të cilat përballet media shqiptare në denoncimet publike për shkatërrimin e mjedisit.
Top Channel