“Shtypi dhe planeti në rrezik” UNESCO vlerëson për të parën herë raportimet e një media shqiptare. Gazetarja e Fiks Fare në krye të raportit, u kërcënua me armë

04/06/2024 21:16

“Shtypi dhe planeti në rrezik” quhet raporti prej dhjetëra faqesh i publikuar ne 22 maj nga Organizata me e madhe botërore e mbrojtjes së mjedisit, UNESCO.

Në fokus janë gazetaret nga e gjithë bota që kanë ndjekur çështjet më të nxehta mjedisore.

Raporti i paraqitur gjatë Konferencës Botërore për Lirinë e Shtypit në Santiago të Kilit, raporton se të paktën 749 gazetarë që kanë trajtuar apo mbrojtur çështje të problematikave mjedisore janë vrarë, sulmuar, arrestuar ose kanë pësuar veprime ligjore në 15 vitet e fundit.

Në raport flasin 16 gazetarë nga e gjithë bota për rreziqet dhe vështirësitë që kanë hasur gjatë pasqyrim të shkatërrimit që i kanoset mjedisit në botë. E përbashkëta e tyre është se janë kërcënuar me jetë.

Në raport theksohet se në 50 vitet e fundit janë vrarë 44 gazetarë që kanë mbuluar çështjet mjedisore dhe ka pasur 750 sulme kundër gazetarëve dhe organizatave informative që merren me çështje mjedisore.

Ajo që vihet re është se në krye të listës së këtyre 16 gazetarëve nga e gjithë bota është gazetarja e emisionit investigativ Fiks Fare, Antela Lika. E vetmja gazetare për Evropën Juglindore e përfshirë në këtë raport. Pra për herë të parë UNESCO pasqyroi problemet me të cilat përballet media shqiptare në denoncimet publike për shkatërrimin që po i bëhet mjedisit në vendin tonë.

Fiks Fare ka paraqitur pranë UNESCO-s dhjetëra kronika ku janë trajtuar çështje të shkatërrimit të mjedisit, ku në shumicën e tyre grupi i xhirimit është kërcënuar. Vëmendje të veçantë në raport ka marrë kërcënimi që u është bërë me armë grupit të xhirimit gjatë raportimit për gërryerje të paligjshme në lumin Zezë në Nikël të Krujës.
Investigimi i Fiks Fare i publikuar një vit më parë në Top Channel, solli fakte mbi gërryerjet e paligjshme të lumit Zezë dhe marrjen e materialeve inerte.

Grupi i xhirimit i Fiks Fare u përball me persona me armë të cilët qëllonin drejt dronit që xhironte masakrën në lumin Zezë. Tre persona të armatosur u përballën me grupin e xhirimit duke e kërcënuar që të mos xhironin ,duke pretenduar se lumi ishte pronë e tyre.

Personat e maskuar dhe të armatosur kërcënuan me jetë grupin e xhirimit, tentuan të merrnin me forcë kameran dhe filmimet e kryera nga gazetarja, madje dhe goditen një pjestar të grupit të xhirimit.

Fiks Fare në vite ka qenë fokusuar në denoncimin e shkatërrimit që i bëhet mjedisit në vendin tonë. Denoncime që kanë qenë në lupën e UNESCO-s, si shkatërrimi që i bëjnë guroret zonës së mbrojtur në Krujë. Shkatërrimi i Alpeve Shqiptare nga prerja masive e pyjeve. Gjithashtu në fokus ka qenë edhe gërryerja masive e lumenjve.

Në trajtimin dhe denoncimin e këtyre katastrofave mjedisore nuk kanë qenë të pakta kërcënimet që i janë bërë grupeve të xhirimit të Fiks Fare.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA