Tre persona me leva dhe doreza metalike dhunuan mëngjesin e kësaj të mërkure avokatin Sokol Mëngjesi.
Ngjarja ndodhi pranë kopshtit 31, në zonën e ish-bllokut ku avokati sapo kishte çuar fëmijën. Agresorët të pa maskuar i zunë pritë, teksa Sokol mëngjesi po lëvizte në këmbë, në një zonë të frekuentuar nga shumë qytetarë e të mbuluar me kamera sigurie dhe e goditën disa herë në kokë duke e lënë pa ndjenja.
Pasi e quajtën misionin e tyre të kryer dhunuesit u larguan në këmbë nëpër rrugica ku I priste një automjet. Ndërsa avokati u transportua me urgjencë drejt spitalit.
Prej orës 08:30 avokati ndodhet në reanimacion, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve. Atij iu bë skaneri, ku u evidentuan dy hematoma në kokë për të cilat do të pritet për 48 orë për të parë parametrat shëndetësorë të tij.
Përveç familjarëve të cilët prisnin me ankth gjendjen e tij, avokati u vizitua edhe nga kolegë dhe miq.
Nga ana tjetër Policia e Tiranës ka ngritur një grup hetimor për zbardhen e kësaj ngjarje të rëndë. Kamerat e sigurisë kanë qenë një çelës për këtë hetim, ku falë tyre u arrit identifikimi i një prej agresorëve dhe mjetit me të cilin ata kanë lëvizur. Në zona të ndryshme të Tiranës janë ushtruar kontrolle me qëllim arrestimin e tyre.
Policia ende nuk është shprehur zyrtarisht për motivet e dhunës ndaj avokatit, por dyshimet kryesore janë se lidhet me detyrën. Sokol Mëngjesi prej muajsh është mbrojtës ligjor i ish-kryeministrit Sali Berisha për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”, si dhe së bashku me Klodian Skenderaj janë avokatë të Mirel Mërtirit, në çështjen e Inceneratorit të Tiranës. Po ashtu Sokol mëngjesi ka dhe një karrierë akademike në Universitetin e Tiranës, ku momentalisht është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë.
Dhuna ndaj avokatit u dënua rëndë nga Universiteti i Tiranës, i cili ne një reagim publik e quajti agresiv dhe kërkoi nga policia të zbardhë ngjarjen. I dënueshëm ky sulm ishte dhe nga dhoma e avokatisë, e cila ka thirrur një mbledhje për këtë rast.
Top Channel