Hungaria do të kërkojë të mos marrë pjesë në operacionet e NATO-s që synojnë të mbështesin Ukrainën, tha të premten kryeministri Viktor Orban, duke sugjeruar se aleanca ushtarake dhe Bashkimi Evropian po shkojnë drejt një konflikti më të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Orban i tha radios shtetërore se Hungaria është kundër një plani që po shqyrtohet nga NATO për t’i ofruar mbështetje më të qëndrueshme ushtarake Ukrainës në vitet në vazhdim, për t’iu kundërvënë sulmit frontal nga Moska, ndërsa forcat më të mirëpajisura ruse po përpiqen të dominojnë në fushëbetejë.
“Nuk e miratojmë këtë dhe as nuk duam të jemi pjesë e mbështetjes financiare apo me armatime (për Ukrainën), qoftë edhe në kuadrin e NATO-s”, tha zoti Orban, duke shtuar se Hungaria është pozicionuar si “jopjesëmarrëse” në operacionet e ardhshme të NATO-s për të ndihmuar Kievin.
“Duhet të ripërkufizojmë pozicionin tonë brenda aleancës dhe juristët dhe oficerët tanë po punojnë për këtë… se si Hungaria mund të ekzistojë si anëtare e NATO-s, por duke mos marrë pjesë në veprimtarinë e NATO-s jashtë territorit të saj”, tha ai.
Kryeministri Orban, i konsideruar partneri më i afërt në BE i presidentit rus Vladimir Putin, theksoi rolin e NATO-s si një organizatë mbrojtëse dhe tha se nuk ndan të njëjtat shqetësime si ato të disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore se ushtria ruse nuk do ta ndalte agresionin e saj edhe nëse do ta fitonte luftën në Ukrainë.
“Fuqia e NATO-s nuk mund të krahasohet me atë të Ukrainës”, tha ai. “Nuk e konsideroj propozim logjik që Rusia, e cila mezi po merret me Ukrainën, do të vijë krejt papritur dhe do të gllabërojë të gjithë botën perëndimore”.
Hungaria ka refuzuar ta ndihmojë Ukrainën me ndihma ushtarake në dallim nga shumica e vendeve të tjera të BE-së dhe zoti Orban ka kundërshtuar me forcë sanksionet e unionit ndaj Moskës, megjithëse në përfundim ka votuar gjithnjë pro miratimit të tyre.
Udhëheqësi nacionalist po përgatitet për zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen në 6-9 qershor dhe e paraqet partinë e tij si garantuese të paqes në rajon. Ai i ka karakterizuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE-së që kërkojnë mbështetje më të madhe për Ukrainën si vende “pro luftës” që po përgatisin një konflikt global./ Zëri i Amerikës
Top Channel