Shtyhet seanca kundër Kurtit/ Mungojnë deputetët, dështon plani për rezolutën që synonte dorëheqjen e kryeministrit

24/05/2024 20:17

Në mungesë të deputetëve është shtyrë seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur dy muaj më parë. Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që e thirri këtë seancë për të diskutuar mbi tre vjet të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, synonte votimin edhe të një rezolute me thirrjen për dorëheqjen e Kurtit ose shkarkimin e tij.

Seanca u shty për një afat të pacaktuar.

 “Kryeministri Kurti duke u dorëzu ka kriju një pozicion për të negociu kushtet e dorëzimit me opozitën, mirëpo ne këto kushte nuk i pranojmë, ne do të presim herët a vonë kapitullimin e tij përmes dorëheqjes”, tha Besnik Tahiri, deputet, AAK.

Mungesa e tillë e deputetëve në seancë, sipas Partisë Demokratike të Kosovës është edhe një herë dëshmi që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri u shpreh po ashtu se do e mbështesë nismën e AAK-së, megjithatë thotë se 30 maji është dita e fundit kur Kuvendi duhet të shpërndahet e të shkohet në zgjedhje.

 “Pra, nëse deri më tridhjetë maj, nëse nuk arrijmë një dakordim, pra për shpërndarjen e Kuvendit e humbim mundësinë që qytetarët t’ju drejtohen kutive të votimit me datën tridhjetë qershor apo me shtatë korrik”, Abelard Tahiri, deputet i PDK.

Përkundër gatishmërisë për të votuar shpërndarjen e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje thotë se është edhe e gatshme ta çojë mandatin deri në fund.

 “Është paksa e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit kur për debat për tri vite qeverisje ka aq pak deputetë në sallë, e lëre më të mendohet për një situatë e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së legjislaturës së tetë”, tha Mimoza Kusari –Lila, deputet i LVV.

Për caktimin e datës së mbajtjes së kësaj seance duhet të ketë dakordim me agjendën e  Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Seanca ishte thirrur që nga data 22 mars e këtij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA