Shumica socialiste avancoi me çuarjen në parlament, për diskutime dhe votim, projekt rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe për anti-korrupsionin”.
Në konferencën e kryetarëve vetëm me 9 votat e socialistëve rezoluta i shkoi seancës plenare të së hënës.
“Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. Mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithë përfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë”, tha Çuçi.
Në Konferencën e Kryetarëve munguan kryetari grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi i cili ndodhet në Londër dhe Nënkryetari demokrat i parlamentit Agron Gjekmarkaj. Morën pjesë vetëm Agron Duka dhe Jorida Tabaku e cila dha këtë shpjegim për votën abstenim.
“Ne sot abstenuam nuk e votuam rezolutën dhe në mbledhjen e radhës së ditës së hënë do të diskutohet. Këto ishin ato që unë ngrita dhe në mungesë të një debati. Kjo kërkon vullnet politik që ka qene i vonuar nga mazhoranca”, tha Tabaku.
Në kushtet kur kalimi kësaj rezolute në konferencën e kryetarëve kaloi pa konsensusin edhe të opozitës, në seancën e të Hënës, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla pritet ta hedhë në votim për ta përfshirë apo jo në rendin e ditës.
Top Channel