EMRAT/ Skandali me mikrokreditë e MCA, Prokuroria e Tiranës kërkon burg për administratorët e subjekteve financiare dhe përmbaruesve

23/05/2024 11:06

Në kohën kur një prokuror për mikrokreditë ka shpallur moskompetencë gjatë muajit të kaluar dhe e ka dërguar hetimin në SPAK për përmbarues në Bankën e Shqipërisë, një tjetër dosje është finalizuar tek Prokuroria e Tiranës.

Anila Hoxha mëson se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Arrest në burg është kërkuar për Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Arben Meskuti, ndërkohë është shpallur në kërkim Alban Kote. Ndërkohë për Kejda Seferi , Elda Ibro, Alketa Tanushi, dhe Jodisa Dervishi është kërkuar arrest në shtëpi.

Nga aktet e administruara, rezulton se këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.

Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.

Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit A.M., A.K., dhe A.T. kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Po kështu u provua se shtetasja K.S., në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’. Ndërsa shtetasit A.D., A.G. dhe E.M., në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes. Po kështu edhe shtetasja E.I., administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’.

Përveç sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, çmoi se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale, që ndaj personave nën hetim të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues dhe gjykata vendosi: 

1 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.D.;

2 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.G.;

3 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin E.M.;

4 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen K.S.;

5 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për E.I.;

6 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen J.D.;

7 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.M.;

8 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin A.K.; dhe

9 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen A.T.

Të gjithë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA