Nikki Haley tha të mërkurën se do të votojë për Donald Trump-in në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, një shfaqje e dukshme e mbështetjes për kandidatin republikan duke patur parasysh rivalitetin e theksuar dhe shpesh personal gjatë zgjedhjeve paraprake brenda kampit republikan.
Zonja Haley gjithashtu e bëri të qartë se ajo mendon se zoti Trump ka ende shumë punë për të bërë për të fituar përkrahjen e votuesve që e mbështetën atë gjatë fushatës paraprake dhe ende vazhdojnë të votojë për të.
“Unë do të votoj për Trump-in”, tha ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB gjatë presidencës së zotit Trump, në një aktivitet të zhvilluar në Institutin Hudson në kryeqytetin amerikan.
“Trump-i do të tregohej i zgjuar nëse u zgjat dorën miliona njerëzve që votuan për mua dhe vazhdojnë të më mbështesin dhe të mos mendojë se ata thjesht do të votojnë për të. Shpresoj që ai ta bëjë këtë”, tha zonja Haley.
Këto janë komentet e para publike që nga largimi i saj nga gara presidenciale, një sinjal tjetër i konsolidimit të plotë të mbështetjes së Partisë Republikane për zotin Trump, madje edhe nga ata që e kanë etiketuar si të rrezikshëm në të kaluarën.
Dy muaj më parë zonja Haley i dha fund fushatës së saj për të siguruar emërimin e Partisë Republikane për të konkuruar për Shtëpinë e Bardhë por nuk pati shprehur mbështetjen për zotin Trump. Më parë ajo e ka akuzuar zotin Trump për kaos dhe shpërfillje të rëndësisë së aleancës së Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera. Madje ajo pati ngritur pikëpyetje nëse 77-vjeçari Trump ishte shumë i vjetër për të qenë serish president.
Fushata e zotit Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar mbi njoftimin e zonjës Haley.
Ndërkohë, kampi demokrat është përpjekur që të fitojë mbështetjen e përkrahësve të saj, të cilët i shohin si votues vendimtar. Fushata e zotit Biden po organizon një grup republikanësh që e mbështesin atë, të cilët do të jenë pjesë e ekipit dhe do të përqendrohen për të fituar mbështetjen e përkrahësve të zonjës Haley në shtetet fushëbeteja, sipas burimeve që kanë njohuri mbi planet por nuk janë të autorizuar të flasin publikisht.
Fushata e zotit Biden bëri të ditur se do të vazhdojë përpjekjet për të tërhequr mbështetësit e zonjës Haley.
Ndërkohë, zonja Haley kritikoi politikën e jashtme të Presidentit Biden dhe trajtimin e situatës në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, gjatë fjalimit të mërkurën në Institutin Hudson, organizatë konservatore me seli në Uashington, të cilit i është bashkuar kohët e fundit ndërsa rishfaqet përsëri në skenën politike. /VOA
Top Channel