Irlanda, Norvegjia dhe Spanja njoftuan se kanë vendosur të njohin shtetin e pavarur palestinez.
Vendimi hyn në fuqi nga 28 maji. “Kjo nuk është një lëvizje kundër Izraelit” dhe “nuk është në favor të Hamasit, por është në favor të paqes”, deklaroi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, duke dërguar ndihma humanitare, duke ndihmuar refugjatët dhe personat e zhvendosur, siç po bëjmë aktualisht, por edhe duke përdorur të gjitha levat politike që kemi në dispozicion, për ta deklaruar fort dhe qartë se nuk do të lejojmë që të shkatërrohet me forcë mundësia e dyshtetësisë, që është dhe e zgjidhja e vetme e drejtë dhe e qëndrueshme për këtë konflikt të tmerrshëm.
Prandaj, zonja dhe zotërinj, dua t’ju informoj se pas arritjes së një konsensusi mes partive që përbëjnë koalicionin tonë qeverisës, Spanja do të miratojë njohjen e shtetit të Palestinës në Këshillin e Ministrave të saj“, tha Pedro Sanchez.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris pohoi se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë, dhe kreu i ekzekutivit norvegjez nënvizoi se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.
Vendimi i përshkruar si historik ngjalli reagimin e ashpër të Izraelit, që tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda. Të paktën 140 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara tashmë e pranojnë shtetësinë palestineze, por të tjerë përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, nuk e njohin zyrtarisht një shtet palestinez. Shumë vende arabe janë shprehur se do ta ndihmonin rindërtimin e Gazës pas luftës vetëm nëse Perëndimi njeh shtetin e Palestinës si pjesë e procesit politik.
Top Channel