Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmet Bardhi ka reaguar për ligjin e taksimit për profesionet e lira.
Në një postim në Facebook, ai shkruan se Shqipëria duhet t’i japë fund modelit të qeverisjes së kryeministri Rama, pasi sipas tij favorizon më të fortët dhe se nuk mbështet qytetarët që kanë vështirësi të rrisin ekonomitë.
Sipas Bardhit ky ligj ka bërë që shumë biznese të mbyllen, në pamundësi për të paguar taksat, të cilat ishin premtuar se do të shkonin në zero, thotë deputeti, por janë ulur vetëm për klientët, oligarkët e miqtë e Ramës, shton ai.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Shqipëria duhet ti jap fund modelit qeverisës të Edi Ramës, që diskriminon e shtyp më të pamundurin, dhe favorizon më të fortin. Qytetarët dhe bizneset kanë nevojë për një Qeveri që punon dhe kujdeset për to, që i lehtëson vështirësitë dhe i mbështet të rrisin e zhvillojnë ekonominë e tyre.
Ashtu sikurse Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paralajmëroi kohën e miratimit të ligjit të ri, hyrja në fuqi e taksimit progresiv të profesionistëve të lirë, që arrinë deri në 23 %, ka detyruar mijëra prej tyre të mbyllin aktivitetin. Sipas QKB-së, 35% e tyre janë mbyllur zyrtarisht, ndërkohë që mijëra kërkesa të reja janë nën përpunim ende.
Mbyllja e biznesit nga mijëra profesionistë të lirë është dramë e familjeve të tyre, por është edhe e dëmshme për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Është e pafalshme që për shkak të diskriminimit të Qeverisë së Edi Ramës, mijëra familje të humbin të vetmen mundësi punësimi dhe të ardhurash për familjet e tyre.
Ndërkohë që Edi Rama premtoi për to taksa zero, realiteti paraqitet krejt ndryshe. Taksat janë ulur vetëm për klientët e qeverisë, oligarkët e miqtë e Edi Ramës, që operojnë në një regjim të lehtësuar dhe favorizues, ndërkohë që për bizneset më në nevojë, shtyhen të mbyllen apo të punojnë në kushtet e mbijetesës, si pasojë e rritjes së barrës fiskale.
Zgjidhja është: Shqipëria duhet të ndryshojë model qeverisës, të largojë Edi Ramën dhe modelin e tij të korruptuar që favorizon vetëm oligarkët dhe klientët e tij.
Top Channel