Gati gjysma e maturantëve mendojnë të kopjojnë në provimet e maturës që janë planifikuar të nisin më 3 qershor. Një pyetësor i realizuar me 660 nxënës të klasave të dymbëdhjeta nga portali studentor nxjerr në pah gjithashtu se ata janë përfshirë nga emocionet negative për shkak të rëndësisë së notave të maturës shtetërore për të fituar të drejtën e studimit në universitet.
“73.5% e maturantëve shprehen se kanë nivele të larta të ankthit dhe stresit në këtë periudhë që i paraprin provimeve të maturës dhe së fundmi gjetja tjetër që është interesante ka të bëjë me faktin se 42% e maturantëve pranojnë se do kopjojnë me paramendim. Problemi qëndron se kur një nxënës I dobët kopjon, ja merr vendin në universitet një nxënësi të mirë se ka një peshë të tillë; kjo nuk është e drejtë”, shprehet Gevio Tabaku.
Edhe pse rregullorja e maturës parashikon në rast të kapjes me telefon përjashtim nga provimi, ndëshkimet e pakta duket se nuk trembin maturantët. 60% e maturantëve shprehen se kanë dëgjuar raste të kopjimit pa u penalizuar.
‘Ndër mënyrat e tyre për të kopjuar ka qënë komunikimi me administratorët, marrja e informacioneve nga jashtë, përdorimi i telefonit celular apo përdoret edhe kufja lidhur me telefonin që ja jep ndihmën një person duke i folur… Arsyeja kryesore pse duan të kopjojnë është fakti se duan një vend në universitet e më pas e arsyetojnë se nuk janë përgatitur mjaftueshëm”, thotë Tabaku.
Kur maturantët janë pyetur në lidhje me zhvillimin e provimeve në ambiente të mëdha dhe të monitoruara nga kamerat, mbi 80% e tyre janë shprehur kundër.
Top Channel