Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan udhëton të shtunën drejt Arabisë Saudite për bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe të dielën do të qëndrojë në Izrael, ku do të takohet me kryeminsitrin Benjamin Netanyahu.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombetare, John Kirby u tha gazetarëve se gjatë bisedimeve me izraelitët, zoti Sullivan pritet të nënvizojë nevojën që lufta ndaj militantëve të Hamasit të bëhet duke goditur objektiva të kufizuara dhe jo përmes një ofensive në shkallë të gjerë në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Zoti Kirby tha se gjatë takimeve me zyrtarë të Arabisë Saudite, zoti Sullivan do të diskutojë “çështjet dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë luftën në Gazë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të arritur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon”.
Një zyrtar amerikan tha se i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme Brett McGurk ishte në rajon këtë javë për konsultime, duke përfshirë dhe një vizitë në Doha për të diskutuar rreth përpjekjeve për lirimin e personave që vazhdojnë të mbahen peng nga Hamasi. Zyrtari shtoi se zoti McGurd do të jetë së bashku me zotin Sullivan në Arabinë Saudite dhe Izrael.
Zoti Kirby tha se bisedimet e zotit Sullivan me kryeminsitrin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë izraelitë do të përfshijnë Rafahun. Izraeli ka paralajmëruar për një ofensivë të gjerë në Rafah, që është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të shqetësimeve për qindra mijëra palestinezë që u strehuan atje për t’i shpëtuar luftimeve në zona të tjera të Gazës.
Zoti Kirby tha se zoti Sullivan do të diskutojë gjithashtu edhe mbi përpjekjet e bllokuara së fundmi për të arritur një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve të sëmurë, të moshuar dhe të plagosur që po mbahe nga Hamasi që kur ata kryen sulmin ndaj Izraelit në 7 tetor./VOA
Top Channel