Votimi përmes postës, cilat janë qëndrimet e republikanëve dhe demokratëve

17/05/2024 18:52

Votuesit amerikanë kanë në dispozicion disa mënyra për të votuar në zgjedhjet presidenciale, përfshirë votimin me postë. Shumë demokratë kanë përqafuar votimin me postë dhe tani, sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, edhe drejtuesit e Partisë Republikane, përfshirë ish Presidentin Donald Trump, po nxisin përkrahësit e tyre t’i shfrytëzojnë të gjitha format e votimit në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti.

Votuesit amerikanë po tregojnë një entuziazëm “mesatar” për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, sipas një ankete të zhvilluar së fundmi nga organizata Gallup. Por, e drejta për të votuar, sipas banorëve me të drejtë vote, me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës, është një e drejtë që nuk duhet të trajtohet si e mirëqenë.

“Votimi është mënyra më thelbësore që të të dëgjohet zëri”, thotë studentja Pilar Kelly nga Universiteti Duke.

Një votuese republikane thotë se njerëzit duhet të votojnë për çështjet që ndihmojnë zhvillimin e shtetit.

“Duhet të votojmë për gjërat që e dimë që i ndihmojnë vendit tonë”, thotë votuesja Jenny Wilson.

Votuesit amerikanë mund të votojnë fizikisht në Ditën e Zgjedhjeve, ose paraprakisht në vendvotime të posaçme.

Ata mund të votojnë edhe përmes postës.

Sipas zotit Will Adler nga Qendra për Politika Ndërpartiake të gjitha shtetet mundësojnë një lloj forme të votimit me postë.

“Dallimi i vetëm është se çfarë justifikimi kërkohet, për shembull, një votues që mund të jetë duke udhëtuar jashtë vendit, apo që mund të jetë larg qendrës së tij të votimit në ditën e zgjedhjeve”, thotë ai.

Në shtetet që mundësojnë votimit me postë, votuesit e regjistruar i marrin fletëvotimet në mënyrë automatike para ditës së zgjedhjeve.

Masat e ndërmarra gjatë pandemisë COVID-19, siç ishte ajo e mbajtjes së distancës fizike, shtuan numrin e votuesve që votuan përmes postës.

Shumë demokratë dhe republikanë e përqafuan këtë mënyrë votimi gjatë zgjedhjeve të viteve 2020 dhe 2022, sipas anketave të Institutit hulumtues Pew.

Mesazhi i Presidentit Biden për votimin me postë mbetet i njëjti.

“Votimi me postë është i sigurt dhe mënyra më e përshtatshme për t’u siguruar që njerëzit do të votojnë”, thoshte Presidenti Biden në janar të vitit 2022.

Paraardhësi i zotit Biden, ish Presidenti Trump, i cili sërish po garon në zgjedhjet presidenciale, vazhdimisht ka shprehur shqetësim që të votuarit me postë mund të çojë në vjedhje votash.

“Votimi me postë vetëm për ata që nuk janë në gjendje ta hedhin votën fizikisht, është i mirë. Votimi me postë për të gjithë, është shumë, shumë i dëmshëm. Nuk ka mundësi që të sigurohet saktësia e këtij procesi”, thoshte Presidenti Trump në gusht të vitit 2020.

Por që nga viti 2023, disa zyrtarë republikanë kanë theksuar nevojën që elektorati i tyre të shfrytëzojë të gjitha format e votimit.

Edhe zoti Trump është treguar i hapur për këtë mundësi.

Më 9 maj, në platformën e tij Truth Social, zoti Trump theksoi se “votimi me postë, votimi i hershëm dhe votimi në ditën e zgjedhjeve, të gjitha janë opsione të mira.”

Grupet që po përpiqen të mobilizojnë votuesit republikanë thonë se duan të përmbysin avantazhin që demokratët kanë krijuar me votimin me postë.

“Sa më shumë banorë që mund t’i nxisim të votojnë përmes votimit të hershëm, atij në mungesë, apo votimit me postë, aq më mirë do të jetë për ne”, thotë zyrtari zgjedhor republikan, Max Docksey.

Zyrtarë nga Komisioni për Çështje Ligjore në shtabin elektoral të Partisë Demokratike i thanë Zërit të Amerikës përmes një deklarate se dyshojnë që votuesit republikanë do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Komisioni gjithashtu paralajmëroi se republikanët në nivel shteti po shqyrtojnë një ligj që do të bllokonte votat e dërguara me postë që kanë gabime të vogla.

Ekspertët thonë se nuk është lehtë të parashikohet se si votimi me postë do të ndikojë në rezultatin zgjedhor këtë vit.

“Sikur të lehtësoheshin procedurat për votimin me postë, kjo mënyrë do ta shtonte pjesëmarrjen në zgjedhje. Nuk është e qartë nëse do të ketë ndonjë ndikim të rëndësishëm në rezultat, ngaqë edhe republikanët duan të votojnë dhe do të gjejnë mënyra për të votuar”, thotë profesori Michael McDonald nga Universiteti i Floridës.

Profesori McDonald thotë se është i bindur që masat mbrojtëse të ndërmarra do të zvogëlojnë gjasat historikisht të vogla për mashtrim me vota në zgjedhjet presidenciale./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA