Kamionë me ndihmat e nevojshme humanitare për Rripin e Gazës kanë kaluar për herë të parë më 17 maj përmes portit të ri të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara për në enklavën e rrethuar, pasi Izraeli ka kufizuar kalimet nëpër kufijtë tokësor.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se presin që deri në 150 kamionë me ndihma të hyjnë në Rripin e Gazës, në kohën kur Izraeli po vazhdon luftën në jug, në qytetin e Rafahut, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Por, SHBA-ja dhe grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se projekti i portit nuk mund të shihet si zëvendësim për dërgesat tokësore, të cilat do të mund të sillnin të gjithë ushqimin, ujin dhe karburantin e nevojshëm në Gazë.
Para nisjes së luftës, mbi 500 kamionë me ndihma kanë hyrë mesatarisht në ditë në Gazë.
Suksesi i operacionit për dërgesën e ndihmave vihet në rrezik nga sulmet, pengesat logjistike dhe për shkak të rritjes së mungesës së furnizimeve me karburante për kamionët që bartin ndihma. Kjo pasi Izraeli ka bllokuar dërgesat e karburanteve për në Rripin e Gazës pas nisjes së luftës më 7 tetor.
Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Më shumë se 35.000 palestinezë janë vrarë në luftë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ndërkaq, zyrtarët lokalë shëndetësorë kanë thënë se qindra të tjerë janë vrarë në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Komanda Qendrore e Ushtrisë së SHBA-së pranoi se ndihma ka nisur të hyjë në Gazë përmes portit. Në një deklaratë të premten, Komanda tha se dërgesa e parë me ndihmë hyri në Gazë në orën 09:00, sipas kohës lokale.
SHBA tha se asnjë ushtar amerikan nuk ka marrë pjesë në këtë operacion.
Trupat amerikane përfunduan ndërtimin e portit të enjten. Disa orë më vonë, Pentagoni tha se ndihma humanitare do të nisë të dërgohet përmes portit, duke shtuar se këto përpjekje po koordinohen me Kombet e Bashkuara.
Top Channel