Zgjedhjet në Universitete/ Sindikata: Të mos njihen proceset farsë me një kandidat të vetëm

16/05/2024 19:54

Në prag të nisjes së fushatës zgjedhore për drejtuesit e rinj në institucionet e arsimit të lartë, Sindikata e punonjësve të universiteteve bën thirrje për mosnjohjen e procesit kur konkurron për rektorë, dekan apo shef departamentesh vetëm një kandidat.

“Sindikata bën thirrje për një fushatë me disa kandidatë, inkurajon konkurrimin e hapur dhe dënon çdo tentativë për të bërë zgjedhjet në universitete një farsë. Sindikata kërkon që të bëhet një fushatë e ndershme me programe konkrete për zhvillimin akademik dhe larg lobingjeve të sëmura, klientelizmit apo ndërhyrjeve politike”, tha kryetari i SPUSH, Sandër Kovaçi.

Nga problematikat e të shkuarës, pedagogët kërkojnë ndryshimin e mënyrës së votimit.

“Sindikata nxit komisionet institucionale zgjedhore që votimin për rektorë ta zhvillojë në mënyrë të qendërzuar me një kuti të vetme pranë godinave qendrore të rektorateve dhe me një listë unike zgjedhore dhe jo të shpërndara nëpër Fakultete si deri më tani. Kjo sipas praktikave më të mira europiane për të garantuar një rektor që përfaqëson të gjithë trupën akademike dhe studentët”.

Teksa karriera akademike do të ndërpritet për disa për shkak të mbarimit të mandatit dhe detyrimit ligjor për të mos u rizgjedhur pas 8 viteve në krye të detyrës në institucionet e arsimit të lartë, ethet për të fituar pushtetin universitar kanë nisur. Emrat e kandidatëve pritet të publikohen më 21 maj, për të vijuar me fushatën deri në ditën e zgjedhjeve të përcaktuar nga Ministria e Arsimit më 21 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA