Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi është takuar sot me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe ambasadorin italian Antonello De Riu. Takimi vjen pak ditë pas atij me kryeministrin Albin Kurti, ku u propozua shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Në takim me diplomatin italian, kreu i PDK-së tha se qytetarët dhe shteti i Kosovës kanë nevojë të shpejtë për zhvillim, përparim dhe integrim.
“Zhvillimet politike, qëndrimet dhe vizioni i PDK-së në raport me to, si dhe kërkesa jonë për zgjedhje të parakohshme, ishin tema të diskutimit tonë të përbashkët. Ambasadorin Hovenier e njoftova me qëndrimet e PDK-së rreth këtyre zhvillimeve dhe arsyet e kërkesës tonë për zgjedhje të parakohshme. Ne besojmë se vendi është në stagnim të plotë dhe ata që po e pësojnë më së shumti janë qytetarët tanë”, ka deklaruar Krasniqi.
PDK-ja ishte partia e vetme opozitare, e cila përgjigj ftesës së kryeministrit Albin Kurti për një takim mbi agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror, të cilën e refuzuan dy partitë e tjera opozitare LDK e AAK.
Kryeministri Kurti pas takimit u shpreh i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por kërkoi konsensus edhe me partitë tjera opozitare, duke thënë se do të insistojë të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Top Channel