Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me gazetarët pasi mori pjesë në Samitin e Kotorit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE.
Në lidhje me pyetjen nëse do të ketë reforma për të hetuar SPAK-un, ai u shpreh se PS nuk e ka komentuar ndonjëherë veprimtarinë e SPAK-ut, ndërsa e quajti “muhabet kot”.
Pikërisht, një nga çështjet të cilat u akuzuat ju shumë pasi prezantuat këtë platformë, këtë reformë të madhe ishte se do të kapnit drejtësinë, donit të ndryshonit SPAK-un. Në të vërtetë ka si synim të prek, se këto janë institucione të reja të drejtësisë.
Kryeministri Edi Rama: Ky është muhabet kot sepse e para një herë, në rast se do të imagjinohej diçka e tillë ajo do duhet të kalonte përmes ndryshimesh të Kushtetutës. E para! E dyta, si mundemi ne dhe si mundem unë që të kem një synim të tillë kur faktikisht isha unë me Partinë Socialiste që i dhamë jetë SPAK-ut dhe që i japim sot mbështetjen pa ekuivok dhe deri më sot nuk di të kemi hapur ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK-ut edhe pse si çdo veprimtari tjetër e çdo institucioni tjetër, ka problemet e veta.
Kjo është një mënyrë për ta zvogëluar në perimetrin e gotës së furtunave të politikës së ditës një gjë aq të madhe, të rëndësishme sa ç’është tema e një dallge të re reformimi, saqë nuk ia vlen fare të humbasim kohë për këtë.
Korrupsioni, sipas Ramës, në Shqipëri, nga gangrenë, tashmë është kthyer në një fenomen shqetësues.
Ndërsa përmendi SPAK-un, kreu i qeverisë theksoi se mbi 50% e detyrave të caktuara nga Bashkimi Evropian lidhen me drejtësinë.
Kryeministri Edi Rama: Sot kemi dakordësuar dokumentet individuale të secilit vend për të gjitha reformat që lidhjen me planin e ri të rritjes nga sot nis zbatimi, nga sot nis mundësia e lëvrimit edhe të parave, unë nuk thash gangrenë por fenomen shqetësues, gangrenë ka qenë, tani është fenomen shqetësues korrupsioni.
Janë reforma të cilat kërkohen edhe për anëtarësimin në BE se kam dëgjuar shumë broçkulla, interpretime që pas 11 vitesh u kujtua që të reformojë administratën, është mënyrë e të parit shumë dritëshkurtër. Bëhet fjalë ose kur vjen puna tek drejtësia që lidhet me SPAK, po të lexosh dhe po të shikosh raportin e BE në diagnozë më shumë se 50% e detyrave lidhen me sistemin e drejtësisë. Të gjitha së bashku do të bëjnë të mundur të jemi anëtarë të BE.
Top Channel