A po përsëritet historia mes Athinës dhe Shkupit? Përplasen deklaratat dhe qëndrimet e Mitsotakis me Mickoski 

16/05/2024 22:09

Historia duket se po përsëritet mes Athinës dhe Shkupit. Kryeministri grek Mitsotakis në një intervistë të tij në televizionin SKAI ka theksuar se me një deklaratë të qartë të tij ka paralajmëruar qeverinë e re në Shkup se çdo devijim nga zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, sigurisht që do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet mes dy vendeve  por edhe për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Evropës.

Gazetari i Top Channel Aleksandër Marku bën me dije se i pyetur se kur do të sjellë tre memorandumet me Maqedoninë e Veriut në parlament Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se qeveria e tij nuk do t’i ratifikojë ato derisa të jetë absolutisht e bindur se pala tjetër respekton të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së Prespës.

Pak orë më vonë fituesi i zgjedhjeve të 8 Majit dhe lideri i VMRO-DPMNE Kristian Mickoski duke cilësuar shumë dinjitoze qëndrimin e presidentes së re Gordana Silianofska që në betimin e saj e quajti vendin thjesht Maqedoni ka deklaruar se nëse Greqia konsideron se ne (Shkupi) ka shkelur Marrëveshjen e Prespës, të shkojë të ankohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ai tha gjithashtu se në komunikimin brenda institucioneve dhe ndërmjet institucioneve të vendit të tij do të përdoret emri kushtetues, por në deklaratat para gazetarëve apo në fjalime është e drejta e tij individuale të përdorë termin Maqedoni .

“Sipas interpretimit tonë të Marrëveshjes së Prespës, ne nuk e kemi shkelur dokumentin. Gjej rastin t’u them miqve tanë në Greqi, ndaloni kërcënimet, ndaloni pengesat, ndaloni të ktheheni në të kaluarën, duhet të shikoni në të ardhmen . Këto janë dokumente, janë pjesë e ligjit, nëse supozojnë se ne kemi shkelur Marrëveshjen e Prespës, atëherë ekziston Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. ”

Si VMRO-DPMNE dhe Qeveria e Demokracisë së Re nuk e pëlqejnë Marrëveshjen e Prespës, por megjithatë ne presim të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët dhe shpresoj në një takim me kryeministrin Mitsotakis ka thënë ai.

Nga çekia ku ndodhej për vizitë ministri i Jashtëm i Greqisë Georgios Gerapetritis ka ripërsëritur se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Prespës, e cila tregon saktësisht emrin kushtetues të vendit.

Nuk ka vend për asnjë lëshim. Greqia do të monitorojë rreptësisht situatën në Maqedoninë e Veriut. Me të vërtetë kërkojmë nga qeveria dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut që të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e Prespës. Lëshime ndaj çështjeve themelore nuk mund të tolerohen”, ka thënë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA