Nga Spartak Ngjela
Prandaj, e shoh të arsyeshme që, politika amerikane duhet të ndërhyjë sërish me forcë, ashtu sikurse ajo ndërhyri me sukses në vitet 2016 – 2019.
Reforma në Drejtësi, është nevojë historike për të ardhmen Demokratike të Shqipërisë. Drejtësia është ingredienti kryesor i moralitetit të një shteti demokratik, sepse ajo e mban të pacënuar dinjitetin e individit, lirinë personale të shqiptarit dhe barazinë e tij ndaj ligjit.
Këto janë parimet e domosdoshme të një shteti të drejtë. Mos harroni kurrë: Një shoqëri që është rritur dhe ka jetuar në padrejtësi, nuk e beson se mund të ketë një shtet të drejtë.
Por, edhe një shoqëri me politikë të korruptuar ku korrupsioni shtetëror është fenomen, nuk zhvillohet dot. E patë regjimin komunist që ndërtoi në Shqipëri 500 fabrika dhe uzina në 30 vite? Ai ishte një shtet i padrejtë, por, korrupsioni qeveritar ishte një pamundësi absolute.
E pra, pyetja është kjo: si do ta zhdukim korrupsionin në Shqipërinë aktuale?
Përgjigjja është vetëm një: korrupsionin qeveritar dhe politik të një shteti, e shkatërron deri në eliminimin e tij, vetëm një pushtet gjyqësor i pakorruptuar.
Këtë paraqiti edhe si skemë politika amerikane kur vendosi që me forcë të implementonte në Shqipëri Reformën në Drejtësi, në vitin 2016.
E pra, ka nëntë vite që ka filluar Reforma në Drejtësi.
Po pasojat pozitive, cilat janë?
Po, janë pushuar gjashtë kryetarë bashkish të korruptuar, por janë të arrestuar ndërkohe: një ish kryeministër, një zv.kryeministër dhe tre ministra, dhe dhjetëra administratorë bashkish e ministrish të ndryshme. Janë pushuar rreth 60 për qind të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.
Por Reforma nuk po vijon me temp të lartë. Dhe, për arsyet që shprehëm më lart, korrupsioni shtetëror mund të rigjallërohet sërish.
Të dhënat janë që, Reforma nuk po ecën, sepse ligji antikorrupsion nuk është në nivel të lartë, dhe, të tremburit nga antikorrupsioni i të dy krahëve, kanë një marrëveshje të heshtur për ta ndaluar.
Duan zvarritje.
Por defekti kryesor duket se po spikat në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas të dhënave të analizës profesionale të formuluar në Uashington, rezulton se në SPAK ka ende disa Prokurorë të korruptuar dhe të trembur që bllokojnë hetimin antikorrupsion në Shqipëri. Por ka edhe një presion të madh të ushtruar nga korrupsioni i lartë shtetëror, Sali Berisha e co., që po bën presione të një niveli mafioz kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK -ut.
Prandaj, e shoh të arsyeshme që, politika amerikane duhet të ndërhyjë sërish me forcë, ashtu sikurse ajo ndërhyri me sukses në vitet 2016 – 2019.
Shqiptarët po presin dhe janë gjithë shpresë te forca e politikës amerikane.
Antikorrupsioni i nisur si reformë ligjore, është e vetmja skemë që do të mund’ ta shpëtojë shoqërinë shqiptare nga një “sëmundje shoqërore”, që, e drejtuar edhe nga forcat e politikës ndërkombtare antishqiptare, deri tani, i ka sjellë shumë dëme shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Kurse historia, për këtë periudhe historike që po kalojmë, do të shkruajë: në periudhën historike 1992 – 2025, forca e parasë, e pushtoi karakterin patriotik të qeverive të Shqipërisë, ajo mposhti administrimin e drejtë të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, dhe i zhyti shqiptarët në një varfëri artificiale, që, një milionë syresh i detyroi të emigronin në Perëndim.
Top Channel