Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, institucioni kryesor në varësi të Ministrisë së arsimit që monitoron dhe orienton politikat shkollore ka shpenzuar zero para për studime e kërkime për vitin 2023.
Në raportin financiar të siguruar nga Top Channel rezulton se peshën më të madhe të shpenzimeve e zënë pagat dhe sigurimet shoqërore për 487 punonjësit e drejtorisë qendrore, në vlerën mbi 29 milionë lek.
Pjesën tjetër të buxhetit, rreth 5 milion lek DPAP e ka harxhuar nga janari deri në dhjetor të 2023 për mallra dhe shërbime kryesisht për mbulimin e faturave të dritave, ujit, telefonit, kancelarive, udhëtimet e dietat… Edhe programi kombëtar “Art,zeje, sport” ka pasur një fond të vecantë vjet përafërsisht 3 mln si dhe ka rritur shpenzimet operative organizimi i olimpiadës ballkanike të matematikës.
“Ne kemi parë se si në shkollat shqiptare ndodhin fenomene negative, si drogërat, bullizmi, klasat kolektive, por nuk shohim asnjë analizë mbi të cilën të bazohen politikat arsimore. Dhe kjo duhet të ishte detyra e kësaj drejtorie, duhet të kemi kërkime të brendshme, analiza, të identifikojmë problemet dhe mbi to të jepen zgjidhjet nga politika”,-shprehet aktivisti Rigels Xhemollari.
Asnjë lek i harxhuar për studime shtetërore, për ekspertët reflektohet në problematikat e sotme të sistemit arsimor ku ka dhe rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve.
“Vendime të gabuara janë marr për kurrikulën, për ndryshimet e mesatares sidomos për degët e mësuesisë, për maturën shtetërore dhe këto politika të gabuara kanë një përgjigje: mungesën e studimeve, analizave, researcheve dhe konsultimeve. Duhet ta ndërtojnë punën e tyre bazuar në analiza dhe jo mbi vullnete politike të drejtuesve tanë. Pasojat janë ato që tregoi testi i Pisa-s, pasojat janë këto ku analfabetizmi funksional është rritur në vendin tonë”.
Top Channel