Anija kroçerë hyn në portin e New York duke tërhequr balenën e vdekur 15m të gjatë (fotot)

09/05/2024 21:47

Një anije kroçerë ka hyrë në portin e New York City duke tërhequr në majë trupin e një balene të vdekur 15 metra të gjatë, njoftonin autoritetet detare të qytetit.

Balena, e identifikuar si e species ‘sei’ ishte kapur në majën e anijes kur mjeti gjigant hyri në portin Brooklyn të dielën, njoftonte Andrea Gomez zëdhënës i shërbimit oqeanik e atmosferik vendor.

Pas interesit të mediave, një zëdhënës i krocerave MSC Cruises tha se balena kishte ngecur në trupin e mjetit MSC Meraviglia, para se të ndalonte në portin e Brooklyn, teksa më pas do të vijonte lundrimin për në New England e Canada.

“Ne menjëherë njoftuam autoritetet, të cilët janë duke ekzaminuar balenën”.

“Jemi shumë të trishtuar nga humbja e jetës të specieve detare,” tha ai, duke shtuar se kompania me qendër në Gjenevë zbaton rigorozisht rregulalt e mbrojtjes së botës detare për mbrojtjen e balenave dhe gjallesave të tjera.

Balena e ngordhur ishte tërhequr më pas në breg nga rimorkiatorët për të kryer nekropsinë, shtoi Gomez.

Nekropsia, siç quhet në SHBA autopsia ndaj një kafshe, ishte kryer të martën sipas Gomez me mostra biologjike të marra prej saj , për të përcaktuar nëse ajo kishte vdekur para se të goditej nga anija, shkruan LosAngelesTimes.

Balenat e species sei jetojnë zakonisht në ujëra më të thella sesa ato të bregdetit, janë specie të mëdha dhe të mbrojtura ndërkombëtarisht.

FOTO GALERI
1/2
Balena, e identifikuar si e species ‘sei’ ishte kapur në majën e anijes kur mjeti gjigant hyri në portin Brooklyn të dielën

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA