Nga Aladin Stafa
Sot bota duket më e trazuar se kurrë më parë. Politika me ndodhitë në mes, brenda dhe jashtë, kanë marrë gjithë vëmendjen në pritje të vendimeve që do të ndryshojnë me patjetër rrjedhën e ngjarjeve. Ndoshta dhe vetë fatin e Europës.
Po cfarë po ndodh? Përse sot Europa duket të jetë kaq në zgrip? Përse edhe njëherë ajo që prej Luftës së Dytë Botërore vë në dyshim vlerat humane të saj?
Europa, kontinenti më i vjetër, më i lakmuar, ai që i vlejti në përmasa të pashembullta njerëzimit dhe botës po has dekadat e fundit vështirësi ekonomike, politike dhe territoriale duke vënë në pikëpyetje edhe vetë forcën e epërme të saj.
E ashtu si në teoritë matematikore ku çdo problem pret nevojën e një zgjidhjeje, pyetja që na lind është a do të jetë Europa e mundur për t‘i kaluar këto pengesa? Këto hije mosbesimi?
A do të mundet ajo të tejkalojë ikjen prej dëshirës nga motivimi për t‘u ringritur sërish në nivelet e viteve ‘80-‘90, atëherë kur ëndrrat ishin shumë pranë jetës sesa realiteti i sotëm?
Sot ne duhet ta pranojmë, që evropianët nuk lexohen më qartë në sytë e tyre, të dyshimtë dhe mosbesues. Që prej mesit të viteve 2000 ata jetuan një krizë financiare që i tronditi duke paralajmëruar se kohët e industrializimit me fuqi punëtore të kënaqur po mbaronin. Agonia i priu shumë shpejt sidomos pas periudhës së pandemisë. Ekonomia e vogël ra ndjeshëm dhe financat boshatisën xhepat e tyre. Cfarë ndodhi më pas ishin një zinxhir ngjarjesh që shoqëruan krizën të fitonte terren. Cilat ishin ato?
Të huajt
Dobësia e shtetit përballë individit në vendet e Lindjes dhe pamundësia për t’u përballur me një fuqi të re por të frustuar emigrantësh për shkak të mungesës së të drejtave në vendet e tyre, zbuluan para Europës një problem të ri. Krejtësisht të panjohur dhe jo aq mirë menaxhueshëm. Është fakt që multi-kulturalizmi dhe diversiteti fetar prej ardhjeve të të huajve drejt perëndimit e c‘balancoi jo pak shoqërinë në qytetet europiane duke prekur traditën dhe vlerat konservatore të saj. Lufta kish mbaruar prej gati 8 dekadash. Por konfliktet kishin qëndruar aty. Të mbuluara me hoje bletësh që zienin në koshere në një botë padrejtësisht të ndarë më dysh duke u rindezur sërish që pas rënies së perdes së hekurt. Ai i fundit?
Konflikti
Lufta që po zhvillohet prej më shumë se dy vitesh në Ukrainë është një tjetër sulm i rëndë i një paqeje solemne të ashtuquajtur kështu, vendosur prej dekadash prej disa burrave të mençur me mjekër të trashë që do të vazhdojnë t’i mungojnë Europës edhe për shumë gjatë.
E nën këtë tablo të trazuar të kontinentit duket se ka jo pak shqetësim emocional për europianin, emigrantin apo dhe të huajin që përpiqet të gjejë identitetin e vet në morinë e një burokracie të lodhshme drejt këtyre destinacioneve.
Politika, kjo fjalë që sot kudo nuk lë një shije të mirë mbetet kali i vetëm i betejës. E duam apo jo, është ajo që nëpërmjet së cilës duhet të zgjedhim për të cliruar fatet e kontinentit tonë në dorë. Në dekadën e fundit forcat e majta kanë qenë ato që mbizotëruan kryesisht sallonet burokratike të klubit. Politikat e jashtme lehtësuese në cështjen e emigrimit dhe politikat e forta të brendshme sociale dhe mbështetëse joshën qindra- mijra të huaj nga Lindja dhe jo vetëm.
Por a kemi sot ne një mbingopje të këtyre parimeve?
Në prag të zgjedhjeve europiane që do të mbahen më 6 – 9 qershor të këtij viti, një frymë e djathtë radikale dhe konservative duket se po ngjitet lart në poll-et e konfirmuara prej parlamentit evropian. Në të ashtuquajturin grup të G -6 ku përfshihen Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda janë rritur kuotat për një rotacion politik. Dhe europianët të lodhur tashmë, duket se këtë herë i besojnë më shumë të djathtës, forcave konservatore duke shpresuar në reduktimin e prurjeve prej emigrimit megjithëse shihet krejtësisht si një luftë e humbur. Duke besuar më fort tek patriotizmi dhe përhapja e vlerave dhe traditave kombëtare ata mundohen të gjejnë besimin tek e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve gjithashtu, një brez tashmë duhet thënë se pranon të jetë i demotivuar prej qëllimeve të bukura të jetës.
Natyrisht që për ne, qytetarët që vijmë nga vendet në zhvillim ky është një lajm jo i mirë. Ëndrra mbi perëndimin nuk është ajo që kishim pritur ndërsa mundësitë për një të ardhme më të mirë fillojnë të paragjykohen duke pritur që cdo gjë të kalojë përmes zyrave të ashpra burokratike dhe snobuese të këtyre vendeve.
Ndaj dhe sot jam i sigurt se baballarët themelues të Europës si Adenauer, Schuman apo dhe De Gasperi po t’i ndiqnin këto zhvillime me siguri do të tmerroheshin prej suksesit së disa prej antagonistëve më të egër të integrimit evropian si Geert Wilders apo Marine Le Pan.
Por për fat të keq kjo është Europa sot. Pa ëndrrën e bukur të saj. Kopshtet me lule molle apo liqenet me ujë të pijshëm.
Sot në Europë dilemat janë të shumta por frika më e madhe mbetet një dhe e vetme; a do të ketë një bashkëpunim mes konservatorëve dhe partive të qendrës së djathtë për ta udhëhequr kontinentin ?
Parashikimet dhe kurioziteti për të ardhmen e saj ka arritur majat dhe askush nuk ka forcën të japë një përgjigje përfundimtare. Cila do të jetë e ardhmja e Europës pas këtyre zgjedhjeve ?
Këtë herë timoni do të shkojë djathtas apo do të vazhdojë rrugën që ka nisur ? Në të vërtetë nga cila anë do të rrahë zemra e saj ?
Një gjë është e sigurt, loja po luhet në Gjashtshen e Brendshme të unionit. Përballja e presionit mes tyre është konsideruar gjithmonë jetike për të kontrolluar pulsin e Brukselit.
E megjithatë përtej show-t politik dhe burokracisë së ashpër të sistemit të saj të integrimit, Europa, princesha e bukur që në kohët e lashta vetë Zeusin e magjepsi me hiret e saj, duket se ka nevojë më shumë se kurrë për zemrën, mendjen por mbi të gjitha për punën, kapitalin e pavdekshëm të Marksit, për t’u ringritur sërish aty ku i takon.
Në qendrën e botës.
Top Channel