Pas shumë kërkimesh është gjetur edhe trupi i djalit 3-vjeçar i familjes Arrazi, Arditi, ndërsa kërkimet po vazhdojnë për trupin e nënës.
Lajmi u konfirmua nga drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Trupi është gjetur në anën e malit, në afërsi të fshatit Zues. Disa kilomentra larg trupit të vajzës që u gjet dje në Dajlan.
Dy ditë më parë është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, Erigea, ndërsa dje u gjet trupi i vajzës tjetër, Gresi. Së bashku me nënën, Alma Arrazi, ata dyshohet se janë vetëmbytur pas dhunës nga bashkëshorti i Almës dhe babai i tyre, Erdgys Arrazi.
Ky i fundit është vënë në pranga, i akuzuar si shkaktar për vetëvrasjen e tyre. Po ashtu forca të shumta polumbarësh, RENEA, FNSH, por edhe ushtria, po vijojnë kërkimet në ujërat e Bunës dhe Drinit për gjetjen e trupit të nënës.
Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni, konfirmoi gjithashtu lajmin, ndërsa falënderoi të gjithë strukturat që po marrin pjesë në këtë operacion dhe banorët e fshatrave, që ndihmuan vullnetarisht.
“Gjej rastin të ngushëlloj familjarët për këtë tragjedi. Dua të falënderoj të gjitha strukturat pjesëmarrëse në këtë aksion, që 24/7 po bëjnë të mundur gjetjen sa më shpejt të viktimave. Dua të falënderoj edhe banorët e fshatrave, të cilët janë ofruar vullnetarisht për të bërë të mundur që ky aksion të përfundoj. Sapo morëm lajmin që u gjet edhe fëmija i vogël dhe shpresojmë që së shpejti të gjejmë edhe viktimën e fundit të kësaj tragjedie dhe operacioni do të mbyllet. Do të jemi këtu deri në gjetjen e turpit të nënës së fëmijëve”, tha prefektja.
Angoni bëri gjithashtu thirrje grave që të denoncojnë dhunën dhe të mos heshtin. “Të gjithë vajzat dhe gratë duhet të denoncojnë dhunën në rastin më të parë, në të gjitha strukturat që ofrojnë ndihmë ndaj tyre.”
Top Channel