VOA: Protestat pro-palestineze mund të ndikojnë në zgjedhjet e nëntorit për Shtëpinë e Bardhë

06/05/2024 16:46

Megjithëse janë hequr tendat në shumë prej universiteteve, protestuesit pro-palestinezë në Shtetet e Bashkuara nuk po heqin dorë nga qëndrimi i tyre. Siç raporton Zëri i Amerikës, analistët thonë se vazhdimi i protestave mund të ketë ndikim në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Policia arrestoi të shtunën mbi 20 demonstrues pro-palestinezë dhe hoqi tendat e tyre në Universitetin e Virxhinias. Por skena të tilla duket se nuk po i dekurajojnë protestuesit. Ata po i shprehin kërkesat e tyre nëpër ceremonitë e diplomimit në shtete si Miçigani.

Të martën policia e Nju Jorkut nxori nga ndërtesa e Universitetit Columbia protestuesit pro-palestinezë. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, foli në emisionin “This Week” të kanalit ABC. Ai tha se organet e rendit do të sigurojnë që qetësia të mbizotërojë gjatë ceremonive të diplomimit.

“Ne do të bëjmë punën tonë. Nëse universitetet vendosin të diplomojnë studentët, për të festuar një përvojë të bukur me familjet e tyre, ne do të sigurohemi që kjo të bëhet në mënyrë paqësore”.

Presidenti Joe Biden foli të enjten për protestat. Bashkëkryetari i fushatës për rizgjedhjen e presidentit, Mitch Landrieu, foli të dielën në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN, për të nënvizuar mesazhin kryesor të Presidentit Biden.

“Të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por në rrugë paqësore. Nuk ka vend për protesta të dhunshme. Nuk ka vend për antisemitizëm dhe islamofobi”.

Kandidati i pritshëm republikan për president, Donald Trump, përsëriti kritikat e tij ndaj demonstratave pro-palestineze. Ai shkroi në median e tij sociale se: “Bideni është arsyeja kryesore për të gjitha këto protesta të tmerrshme”.

Eksperti i shkencave politike, Michael Traugott, thotë për Zërin e Amerikës se kjo është një strategji politike që po përdor ish-prsidenti për të fituar mbështetjen e publikut.

“Ai dëshiron që protestuesit, përfshirë studentët, të arrestohen dhe të largohen nga universitetet. Por ai nuk e kupton ose nuk dëshiron ta pranojë se presidenti ka kontroll të kufizuar për këto veprime”.

Por vazhdimi i protestave mund të ketë ndikim në zgjedhjet e nëntorit, thotë zoti Traugott.

“Protestat në përgjithësi favorizojnë Donald Trump-in sepse bien ndesh me pikëpamjet e një pjese të madhe të mbështetësve të tij. Ka gjasa që kjo ta rrisë pjesëmarrjen e mbështetësve të tij në votime. Nga ana tjetër, mund të ulë pjesëmarrjen e të rinjve, kryesisht demokratë, që do të votonin për zotin Biden”.

Pritet që Presidenti Biden të flasë mbi përpjekjet për të luftuar antisemitizmin gjatë një fjalimi të rëndësishëm të martën në Muzeun e Holokaustit.

Këtë javë, zoti Trump do të jetë i zënë me seancat gjyqësore në lidhje me akuzat penale në gjykatën e Nju Jorkut, si dhe përgatitjet për një tubim të ri të fushatës në Nju Xhersi më 11 maj./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA