Karnavalet e Nartës, zhvillohet ceremonia e përvitshme me kostume! Festimet zgjasin për tre ditë

06/05/2024 12:37
Karnavalet në Nartë

Pas çdo Pashke Ortodokse, në fshatin Nartë të bashkisë Vlorë zhvillohen Karnavalet. Kjo festë e karakterizon këtë fshat ortodoks dhe ato nuk ngjasojnë me asnjë kremtim tjetër në vend.

Për 3 ditë përgjatë rrugicave të fshatit të Nartës dëgjohen tingujt e klarinetës dhe zërat e gëzueshëm të dhjetëra të rinjve, të cilët gjallërojnë sheshin kryesor pranë kishës Shën e Diela.

Si çdo vit edhe këtë herë festimeve i janë bashkuar edhe dhjetëra banorë të Nartës të ardhur nga Greqia, ndërsa nuk kanë munguar edhe turistë të huaj të cilët janë surprizuar nga festimet që cilësohen shumë të bukura dhe të veçanta. Sipas banorëve karnavalet shërbejnë pikërisht edhe për të ribashkuar vendasit e ikur. Njerëzit me maska dhe kostume tipike të karnavaleve vallëzojnë në formë rrethi nën tingujt e instrumenteve muzikorë, duke interpretuar gjithashtu edhe në rite të veçanta.

Këto kostume dhe maska simbolizojnë gjyshërit dhe stërgjyshërit e vdekur, të cilët ringjallen për çdo Pashkë dhe enden nëpër fshat për tri ditë, njëlloj siç ndodhi dhe me Krishtin, i cili vdiq të premten dhe u ringjall mesnatën e së shtunës për të dielë. Ndërkohë legjendat mbi kuptimin e triditëshit të karnavaleve dhe simbolikës së kostumeve janë të shumta dhe secili banor ka shpjegimin e tij. Mendohet që karnavalet në Nartë të kenë filluar 200-300 vite përpara.

Narta është një fshat i Vlorës i cili njihet per kripën, ullinjtë, dhe peshkimin. Ai sot është pothuajse i boshatisur, pasi një pjesë e mirë e banorëve të cilët zotërojnë dokumenta greke kanë emigruar në Europë. Sipas vendasve, sot në Nartë numërohen jo më shumë se 200 banorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA