Gjermania thërret për konsultime ambasadorin e saj në Moskë

06/05/2024 20:50

Gjermania thirri për konsultime të dërguarin e saj në Moskë, pas dyshimeve se spiunët ushtarakë rusë kanë hakuar emailet e anëtarëve kryesorë të Partisë Social Demokrate të kancelarit Olaf Scholz, si dhe objektiva të tjera të ndjeshme qeveritare dhe industriale.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha të hënën se Alexander Graf Lambsdorff do të kthehet në Berlin për një javë konsultime.

Lambsdorf nuk do të jetë në Rusi gjatë inaugurimit të presidentit Vladimir Putin për një mandat të ri, i cili do të zhvillohet më 7 maj, tha zëdhënësi.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha më 3 maj se hakerët ushtarakë rusë ishin pas një operacioni të hakerimit, i cili zgjati me muaj.

Gjithashtu javën e kaluar, Ministria e Brendshme gjermane tha se fushata e hakerëve filloi që në mars të vitit 2022 – një muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës – dhe se ata arritën të kenë qasje në emailet e selisë së Partisë Social Demokrate që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Sipas deklaratës së kësaj ministrie, në shënjestër të hakerëve ishin edhe kompani gjermane, përfshirë ato në sektorët e mbrojtjes dhe të hapësirës ajrore, si dhe objektiva që lidhen me luftën në Ukrainë.

Zyrtarët thanë se sulmet kibernetike vazhduan për muaj të tërë./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA