Pavarësisht këmbënguljes së tij për një sulm madhor në Rafah, përkundër insistimit të Shteteve të Bashkuara për një reflektim më të thellë lidhur me një hap të tillë, Izraeli duket ka vendosur t`i japë informacione më të detajuara zyrtarëve të administratës të presidentit amerikan, Joe Biden, lidhur me planin për evakuimin e civilëve palestinezë, para se shteti të lëvizë përpara me një operacion të mundshëm në këtë qytet kufitar të Gazës jugore.
Tel Avivi e justifikon operacionin atje me goditjen e Hamasit, autori i masakrës së 7 tetorit në tokën e shtetit hebre. Zyrtarët, që sipas Associated Press nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këto bisedime të ndjeshme, thonë se plani i detajuar nga izraelitët nuk ka ndryshuar qëndrimin e administratës amerikane që një ofensivë në Rafah do të rrezikonte shumë jetë të civilëve të pafajshëm palestinezë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar ta kryejë ofensivën në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve nga presidenti Biden dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë se një veprim i tillë do të rezultonte në vdekjen e më shumë civilëve dhe do të përkeqësonte situatën tashmë të rëndë humanitare.
Administrata amerikane e ka bërë të qartë se do të ketë pasoja për Izraelin nëse kryen operacion pa një plan të besueshëm për mbrojtjen e civilëve. Afro 1.5 milion palestinezë janë strehuar në Rafah për shkak të luftës që nisi militantë të grupit radikal sulmuan Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Agjencia për ndihmë e Kombeve të Bashkuara thotë se nëse Izraeli e sulmon Rafah, atje mund të humbin jetën me qindra persona.
Top Channel