Mbështetja e Berlinit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, nuk duhet marrë si e mirëqenë: Gerald Knaus, nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, thotë se disa shtete, përfshirë Gjermaninë dhe po përgatiten ta bllokojnë votimin e parashikuar më vonë gjatë këtij muaji për pranimin e Kosovës në KiE.
Përmes një postimi në X, Knaus sqaron se vendet në fjalë janë duke u bërë gati të veprojnë në kundërshtim me rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, sipas të cilës, Kosova i ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e organizatës. Gjermania e ka nënkuptuar tashmë se kushti për pranimin e Kosovës në institucionin më të vjetër europian ku matet sundimi i ligjit e të drejtat e njeriu është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sa për Francën, duket se në lojë ka edhe interesa të tjera.
“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill. Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, Aleksandat Vucic, përfshirë edhe apelin e tij personal ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim të Serbisë për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale”, tha Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet.
Asambleja Parlamentare votoi në 16 prill në favor të raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE. Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e këtij organizmi. Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të ishte qasja në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Top Channel