Që prej 1 majit kalimet mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhen pa kontrolle kufitare.
Në pikën kalonin në Morinë, policia kufitare shqiptare nuk kërkon dokumente identifikimi për qytetarët që duan të hyjnë në territorin e Shqipërisë.
Vendimi për kalimin e kufirit në këtë mënyrë u zgjat nga tre në nëntë muaj të vitit për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të të dyja vendeve.
Një gjë e tillë është mirëpritur nga udhëtarët shqiptarë nga Kosova që vizitojnë Shqipërinë.
“Tani përderisa jemi një komb dhe themi se jemi një komb e jemi shqiptarë do të duhej që të hiqeshin gjithmonë këto kontrolla se vetëm na i heqë kolonat.
“Ky është një lehtësim i madh si për Kosovën edhe për Shqipërinë”- u shprehën disa prej tyre.
As për të hyrë në Kosovë, deri më 31 dhjetor, udhëtarët nga Shqipëria nuk do kenë nevojë të paraqesin dokumentin e identifikimi para policisë kufitare.
Zgjatja e periudhës së vendimit për kalimin pa kontrolle është mirëpritur sidomos nga shtetasit e Shqipërisë që udhëtojnë çdo ditë në Kosovë.
“Detyrimisht, jemi prej Tropojës e duhet të mos ketë kufi fare.
Udhëtojmë shpesh dhe nuk do të duhet të kishte fare kontrolle”- thanë disa prej qytetarëve.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare të Kosovës, që menaxhon me pikë kalimet me Shqipërinë, për tre ditët e para të muajit maj, në Kosovë kanë hyrë mbi 47 mijë persona e nga vendi kanë dalë po ashtu mbi 47mijë persona.
Top Channel