Protestat me molotov para bashkisë Tiranë, Ngjela: Opozita nuk sjell alternativë, s’kanë asnjë ide për zhvillimin e vendit

03/05/2024 17:59
Avokati Spartak Ngjela në lidhje skype për "Top Talk"

Avokati Spartak Ngjela, në një lidhje skype për emisionin “Top Talk” me gazetaren Juli Xhokaxhi në Top Channel foli mbi aksionin e fundit të opozitës para bashkisë së Tiranës ku janë organizuar protesta të dhunshme ku bëhet thirrje për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ngjela tha se pavarësisht retorikës politike të përdorur në protestat e dhunshme, opozita nuk ka dhënë asnjë ide mbi zhvillimin ekonomik të vendit dhe si pasojë nuk mund të shihet si alternativë.

“Problemi qëndron, di të më thuash ndonjë ide që kanë hedhur në protestë për zhvillimin e Shqipërisë? Di ndonjë gjykim të lartë që do na bëjë të ecim përpara si zhvillim ekonomik, politik të kombit shqiptar? Nuk kam dëgjuar ndonjë gjë. Duhet të flasim gjithmonë për dobishmërinë e një lëvizje politike.

Jemi në momentet e humbjes. Opozita është i munduri në betejë. Nuk ka aftësi politike që të bëjë analizën aktuale të shoqërisë shqiptare. Nuk më duhet mua çfarë thotë atje budallëqe “jeni vrasës, hajdutë” etj. Mua më duhet të di si e kanë optikën për të ardhmen në politikë si parti politike që tenton drejt pushtetit”- tha Ngjela.

Ndërsa komentoi arrestimet e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve nga ana e SPAK, Ngjela tha se goditjet kanë qenë më të shumta drejt radhëve të mazhorancës, ndërsa theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie sepse nuk përfilli vendimet e drejtësisë për t’u paraqitur në GJKKO.

“Sali Berisha është arrestuar sepse nuk ka përfillur drejtësinë, nuk është arrestuar për veprën penale. Ka një nen në procedurë ku thuhet se nëse nuk i nënshtrohesh hetimit, mund të arrestohesh”- shtoi avokati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA