Me rroba të zeza dhe në heshtje, të afërmit përcjellin për në banesën e fundit dy të moshuarit në Dropull! U rrahën deri në vdekje

03/05/2024 13:28

Janë përcjellë për në banesën e fundit dy të moshuarit që u rrahën për vdekje në Dropull.

Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 bashkëshortë mes tyre janë gjendur të pajetë brenda banesës së tyre në fshatin Bodrishtë të Dropullit.

Policia e Gjirokastrës ka bindjen se çifti i të moshuarve është vrarë me sende të forta nga persona që kanë hyrë në banesën e tyre. Policia ka në rrethin e të dyshuarve 3 persona për të cilët pritet përgjigjja e policisë shkencore që do të zbulojë nëse janë të implikuar, sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat.

Paralelisht po hetohet edhe për motivet pasi pista e grabitjes është rrëzuar. Shtëpia është gjetur e rregullt dhe nuk ka shenja kontrollesh si dhe janë gjetur sasi parash që i përkisnin çiftit të të moshuarve.

Motra e Kleoniqit që banon në Greqi ka telefonuar në mëngjes një komshie të tyre pasi çifti nuk po ju përgjigjej telefonatave. Ajo hyri në banesën e tyre rreth orës 6 të mëngjesit dhe ka konstatuar të pajetë fillimisht Kosta Ilian në hyrje të banesës me një shenjë goditjeje në anën e djathtë të kokës dhe më pas edhe Kleoniqin më në brendësi. Të moshuarit kanë pasur shenja dhune ne trup çka ka çuar fillimisht në dyshime se ata mund të ishin bërë pre e një grabitjeje.

Të moshuarit jetonin vetëm në një banesë modeste fshati pasi nuk kishin fëmijë. Të vetmit të interesuar për ta ishin të afërm motra e vëllezër që jetonin në Greqi.

Kosta Ilia ishte kthyer nga Greqia vetëm 5 ditë më parë ku kishte shkuar për të tërhequr pensionin. Thëniet e komshinjve janë disi kontradiktore. Disa prej tyre pohuan se çifti jetonte në paqe dhe të tjerë folën për konflikte të dhunshme mes tyre falë problemeve të shëndetit mendor të Kosta Ilias i cili trajtohej vitet e fundit me medikamente.

Burime nga policia gjithashtu konfirmojnë se kanë gjetur në banesë një shumë parash të pensionit të të moshuarve. Pensionet nga shteti grek ishin të vetmet të ardhura për ta. Grabitjet e moshuarve në këtë zonë të izoluar të vendit nuk kanë qenë situata të pazakonta në të shkuarën. Gjatë dekadës së fundit ka të të paktën 3 raste me pasoja tragjike ku të moshuar kanë humbur jetën në grabitje. Për këtë arsye edhe kjo pistë nuk është përjashtuar nga hetimet për këtë krim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA