SHBA akuzon Rusinë: Ka shkelur traktatin për ndalimin e armëve kimike gjatë luftës në Ukrainë, substanca që përdorën…

02/05/2024 07:16

Shtetet e Bashkuara akuzuan të mërkurën Rusinë se ka shkelur traktatin për ndalimin e armëve kimike gjatë luftës në Ukrainë duke përdorur kundër forcave ukrainase një substancë kimike mbytëse si dhe një sërë agjentësh (kimikë) për kontrollin e trazirave, si “mjete lufte” në Ukrainë.

“Përdorimi i këtyre lëndëve nuk është një rast i izoluar dhe ka të ngjarë të nxitet nga synimet e trupave ruse për të zhvendosur forcat ukrainase nga pozicionet e fortifikuara dhe për të arritur fitore taktike në fushën e betejës”, tha Departamenti i Shtetit nëpërmjet një deklarate.

Ambasada ruse në Uashginton nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia Reuters deri në publikimin e këtij artikulli.

Substanca kimike kloropicrinë (PS) është një irritues me karakteristika të një gazi lotsjellës dhe është listuar si substancë e ndaluar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) me bazë në Hagë, e krijuar për mbikqyrur zbatimin e Konventës së 1993 për Armët Kimike.

Më herët gjatë këtij muaji, agjencia Reuters njoftoi se ushtria ukrainase kishte pohuar se Rusia kishte shtuar përdorimin e agjentëve (kimikë) për kontrollin e trazirave ndërsa synon të shënojë përparime në lindje të Ukrainës.

Sipas të dhënave ukrainase, 500 ushtarë kanë marrë kujdes mjekësor për ekspozim ndaj substancave toksike dhe një ushtar ka vdekur si pasojë e mbytjes nga gazi lotsjellës.

Ndërsa gjatë protestave civilët mund t’i shpëtojnë substancave kimike për kontrollin e trazirave, ushtarët e bllokuar në llogore të pa pajisur me maskë ose duhet të largohen në rast sulmi nga armiku ose rrezikojnë të mbyten.

Departamenti i Shtetit tha se do të njoftonte Kongresin mbi përcaktimin e tij se përdorimi nga Rusia i kësaj substance ndaj trupave ukrainase shkelte Konventën për Armët Kimike.

Përdorimi i gazit nga Moska është në vazhdën e operacioneve të saj të helmimit, helmimit të udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny në 2020 dhe Sergei Skripalit dhe të bijës së tij Yulia në 2018 me agjentin nervor Novichok.

Rusia ka mohuar përfshirjen në të dyja rastet.

Në deklaratë thuhej se Departamenti i Shtetit ka përcaktuar se Rusia ka shkelur edhe ndalimin e përdorimit të agjentëve kimike për kontrollin e trazirave si mjet lufte.

Departamenti njoftoi se do të vendoste sanksione ndaj tre entiteteve shtetërore ruse të lidhura me programet e armëve kimike dhe biologjike. Sanksione u vunë edhe ndaj 4 kompanive që mbështesnin këto tre entitete./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA