Bashkimi Europian po kërkon mënyra për të parandaluar një fluks refugjatësh sirianë drejt bllokut, e i ka kthyer sytë nga Libani për një marrëveshje të mundshme emigracioni.
Në destinacionin e klandestinëve të tillë është kthyer së fundi Qiproja, ku vetëm që nga fillimi i këtij viti kanë mbërritur rreth 4,000 emigrantë ilegalë. Për këtë arsye, sot kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen udhëton drejt Bejrutit së bashku me Presidentin e Qipros, Nikos Christodoulidis, me shpresën të vulosin një ujdi me qeverinë libaneze.
Christodoulidis e ka bërë të qartë se vendi i tij “nuk ështe më në gjendje të pranonte refugjatë sirianë”, e kjo shton presionin mbi Brukselin për të gjetur sa më parë një zgjidhje. Kampet tona janë të mbipopulluara, është shprehur presidenti qipriot, i cili i ka udhëzuar autoritetet e vendit të tij të ndalonin shqyrtimin e kërkesave për azil nga refugjatët sirianë.
Që prej shpërthimit të luftës civile në Siri në vitin 2011, Libani ka strehuar mbi 1.5 milionë refugjatë nga vendi fqinj. Por edhe ai vetë është në krizë ekonomike. Brukseli është gjithashtu i shqetësuar se lufta në Rripin e Gazës mund të ketë ndikim edhe në Liban – veçanërisht nëse përshkallëzohet konflikti midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut radikal islamik në Libanin jugor, dhe nëse kjo ndodh, edhe më shumë njerëz mund të largohen prej andej drejt Europës.
BE-ja duket e gatshme ta ndihmojë Libanin në këtë drejtim – në këmbim, nga Bejruti kërkohet të bëjë më shumë për të ndaluar refugjatët të kalojnë Mesdheun. Flitet për “mbështetje financiare dhe politike shumëvjeçare” deri në vitin 2027. BE-ja ka lidhur tashmë marrëveshje të tilla me disa shtete në Afrikën e Veriut: në disa raste ajo u paguan miliarda shteteve në vështirësi ekonomike.
Top Channel