Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediat ka sulmuar sërish kreun e SPAK, Altin Dumanin, ndërsa ka ironizuar edhe ndërkombëtarët.
“Nuk e di a ka ndonjë qëndrim të tyre lidhur me deklaratën skandaloze të kreut aktual të SPAK, i cili publikisht ka deklaruar para të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që i kanë sytë në ballë se në këtë vend gjykatat vendosin se çfarë kërkon SPAK-u. Ky është një vend që nuk ka nevojë për gjykata, sepse do të duhet të certifikojnë vendimet e SPAK apo prokurorisë si institucion. Madje as personat që ndiqen s’kanë nevojë për avokat, pse të shpenzojnë para. Me këtë deklaratë ka asgjësuar gjykatat, avokatët, ka treguar atë nivel që ka dhe që buron pikërisht se është atje jo për shkak të integritetit, por është aty për t’i shërbyer Ramaformës. S’ka deklaratë në botë dhe fuqi në botë që e shplan deklaratën skandaloze të Dumanit. As Mehmet Shehu s’do e bënte në kohën e Enver Hoxhës.
Janë qytetarët shqiptarë që vlerësojnë sukseset e ramaformës dhe i vuajnë ato, sepse të jesh ambasador në Shqipëri apo diplomat në këtë vend është gjë e bukur sepse është vend shumë i bukur, ushqimin e kemi të jashtëzakonshëm, klima, i respektojmë miqtë. Ngaqë i respektojmë, ndonjëherë kujtojnë se nuk kemi punë tjetër edhe mendojnë se mund të bëjnë gallatë me popullin tonë, Mirë aq e lehtë edhe kënaqësi të jesh ambasador në Shqipëri, aq tmerr është sot të jesh qytetar i këtij vendi, të mos kesh lidhje me Rilindjen dhe të kërkosh drejtësi në këtë vend pikërisht sa u bë 8 vite që kur u miratua Reforma në Kuvend”, tha Meta.
Top Channel