Gjykata a Ndërkombëtare Penale mund të lëshojë sipas mediave të huaja një urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Disa raporte në shtypin izraelit tregojnë se qeveria në Tel Aviv po shikon me ankth drejt Hagës, ku veç Netanyahut, të shënjestruar nga GJNP-ja thuhet të jenë edhe ministri i mbrojtjes Yoav Galant dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi. Pak ditë më parë, kreu i ekzekutivit të vendit hebre komentoi mbi procedimet e mundshme duke deklaruar se nën udhëheqjen e tij “Izraeli nuk do të pranojë kurrë asnjë përpjekje nga Gjykata Penale për të minuar “të drejtën e tij për vetëmbrojtje”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale kryen hetime ekskluzivisht kundër individëve. Ajo aktivizohet vetëm nëse një person dyshohet, se është përgjegjës për një nga katër krimet themelore në kohën kur kryen një funksion drejtues: gjenocid, krime të rënda lufte, krime kundër njerëzimit ose luftë agresioni. Ajo ka hetuar që nga viti 2021 dhunën në Gaza në verën e vitit 2014 dhe krimet e mundshme të luftës kundër atyre që dyshohet se janë përgjegjës në Izrael.
Në të njëjtën kohë sakaq, po zhvillon hetime edhe kundër militantëve të Hamasit, teksa po merren parasysh edhe zhvillimet e konfliktit të fundit: Sulmi i Hamasuit në Izrael që shkaktoi 1.200 viktima ndërsa 240 persona u morën peng, si dhe pretendimet e paverifikuara në mënyrë të pavarur të autoriteteve në Rripin e Gazës që pretendojnë se fushata shpaguese e shtetit hebre ka kushtuar mbi 34 mijë jetë njerëzish në enklavë. Izraeli vetë nuk e njeh autoritetin e GJNP-së, e atë si gjykatë nuk e njeh as SHBA-ja, Kina, Rusia dhe India, si dhe gati asnjë vend arab dhe Irani.
Top Channel