Projektligji për studentët e mjekësisë, qeveria reflekton ndryshimet e kërkuara nga “Kushtetuesja”! Jo më pesë, por tre vite punë për mjekët e rinj

01/05/2024 17:34
FOTO: Protesta e studentëve të mjekësisë, korrik 2023

Disa muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene të ligjit që detyronte studentët e mjekësisë që për 5 vite pas diplomimit të mos largohen për të punuar jashtë vendit, qeveria ka reflektuar disa ndryshime në projektligj.

Ligji parashikonte 5 vite punësim i detyruar për studentët e mjekësisë të vitit të parë, që tashmë me rishikimin ulet në 3 vite, ndërsa për studentët e vitit të dytë deri në vitin e katërt detyrimi për të dhënë kontributin ulet nga 3 vite në 2 vite, ndërsa ata që ishin në vitin e pestë dhe të gjashtë të studimit parashikohej detyrimi 2 vit, kufizim i cili minimizohet në 1 vit.

Ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese gjykoi se ligji i posacëm për mjekët e rinj kishte boshllëqe në nenin 6 të tij, ku mungonin kriteret e punësimit me prioritet si dhe trajtimi financiar gjatë kohës së pritjes së punësimit. Ndaj në shtesën e miratuar nga Kuvendi është planifikuar që mjeku i ri që i bllokohet diploma të marr një pagë pas tre muajve që Ministria e Shëndetësisë nuk i ka garantuar vendin e punës me prioritet aty ku është nevoja.

“Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike”, shkruhet në vendim.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi në janar se afatet e mbajtjes peng të diplomave për mjekët e rinj nuk ishin në proporcion me nevojën.

“Në bazë të përvojave të shteteve të tjera, ky afat nuk duhet të tejkalojë gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve” ishte limiti i vendosur nga Gjykata Kushtetuese , teksa i la kohë tre muaj Kuvendit të miratonte ndryshimet.

Ky ligj është në fuqi nga ky vit akademik 2024-2025 deri në vitin akademik 2028-2029.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA