Qeveria ukrainase ka rritur shpenzimet e saj për dronët, duke shtuar 392 milionë dollarë për këto armë, tha kryeministri Denys Shmyhal.
“Me buxhetin e ndarë sot, 300.000 dronë do t’i dërgohen forcave tona të sigurisë dhe mbrojtjes”, tha ai gjatë mbledhjes së Qeverisë në Kiev më 30 prill.
Sipas Shmyhalit, Ukraina paraprakisht kishte ndarë buxhet prej 109 milionë dollarësh për blerjen e dronëve gjatë këtij viti.
Ukraina, që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022, së fundi ka zgjeruar zhvillimin dhe prodhimin e disa lloje të dronëve. Në javët e fundit, Kievi po ashtu ka intensifikuar sulmet me dronë në territorin rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën se tre dronë luftarakë ukrainas janë penguar në rajonet kufitare të Belgorodit dhe Kurskut. Një grua është vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë zjarrit ukrainas në fshatin kufitar rus të Kosinos, tha guvernatori i Kurskut, Roman Starovoit.
Këto pretendime të autoriteteve ruse nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur./REL
Top Channel