Dyshohet se vrau dy ushtarë ukrainas, Gjermania arreston një shtetas rus

30/04/2024 07:16

Prokurorët gjermanë thanë se nuk e përjashtojnë mundësinë që vrasja e dy ushtarëve ukrainas gjatë fundjavës mund të ketë pasur motive politike, teksa theksuan se kanë arrestuar një qytetar rus që dyshohet se qëlluan për vdekje dy ushtarët.

Dy ushtarët – që po rikuperoheshin në jug të Gjermanisë – u gjetën jashtë një qendre tregtare në një qytet në Bavari mbrëmjen e së shtunës. Sipas policisë, ata kishin pësuar plagë serioze me thikë. Njëri prej tyre, 36 vjeç, vdiq në vendngjarje, ndërkaq ushtari tjetër 23 vjeç ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra sipas REL.

Një rus 57 vjeç është arrestuar pak pas vrasjeve të dyshuara, tha policia gjermane.

Sipas informacioneve të para, tre personat duket se e kanë njohur njëri-tjetrin.

“Motivi për krimin ende është i paqartë edhe pse motivi politik nuk mund të hidhet poshtë. Hetuesit po hetojnë në të gjitha drejtimet”, tha Zyra e Prokurorit të Munihut që po e trajton këtë rast.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dymtro Kuleba, i ka kërkuar Konsullatës së Përgjithshme ukrainase në Munih që të monitorojë rastin dhe të vazhdojë të jetë në kontakt me autoritetet gjermane.

Ndërkaq, në një rast të ndarë dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan në Gjermani më herët gjatë prillit nën dyshimet se po planifikonin sulme sabotuese, përfshirë ndaj ndërtesave ushtarake. Zyrtarët thanë se këto sulme synonin të minonin mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA