Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të hënën se vendi i tij po punon për të përmirësuar programin e dronëve, ndërsa vendi po lufton kundër agresionit rus që nisi para më shumë se dy vjetësh.
Deklarata e tij u bë një ditë pasi ai u bëri sërish thirrje aleatëve për të dërguar në Ukrainë sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’, “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ukraina është përballur me sulme të përditshme me dronë dhe raketa nga Rusia. Sulmet ruse kanë vënë në shënjestër qytete të shumta dhe objekte të infrastrukturës energjetike.
“Jemi ende në pritje të furnizimeve që iu premtuan Ukrainës”, tha zoti Zelensky në fjalimin e përditshëm të dielën që zakonisht e publikon në mbrëmje. “Presim dërgesat që mund të ndryshojnë situatën në fushën e betejës në të mirë të Ukrainës”, shtoi ai.
Presidenti Zelensky tha se kishte folur me udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratin Hakeem Jeffries dhe falënderoi Kongresin për miratimin e ndihmës ushtarake me vlerë 61 miliardë dollarë për Ukrainën.
“Në bisedën time me zotin Jeffries unë theksova që sistemet ‘Patriot’ janë të nevojshëm dhe ato duhet të sigurohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi presidenti ukrainas.
Zoti Jeffries shkroi në rrjetin social X se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin ukrainas në luftën tuaj të guximshme kundër agresionit rus”.
Ushtria ukrainase, që është shumë më e vogël se ajo ruse, po tërhiqet nga pozicionet e saj në Ukrainën lindore, ndërsa trupat ruse po përparojnë drejt perëndimit, tha të dielën gjeneralkoloneli ukrainas Oleksandr Syrskyi.
Ai tha se trupat e Kievit janë kthyer në pozicione të reja në perëndim të tre fshatrave në frontin lindor ku Rusia ka përqendruar forca të konsiderueshme.
“Situata në front është përkeqësuar”, shkroi gjenerali ukrainas në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve ‘Telegram’, duke thënë se zonat “më të vështira” ishin në perëndim të Maryinkas së pushtuar dhe në veriperëndim të Avdiivkas, një qytet i rëndësishëm strategjik i pushtuar nga forcat ruse në muajin shkurt.
Në zonat e frontit lindor të Ukrainës në rajonet Donetsk dhe Kharkiv janë zhvilluar përleshje të ashpra në javët e fundit, ndërsa forcat ruse bëjnë përpjekje të fitojnë përgjatë vijës së frontit prej më shumë se 1000 kilometrash. Mungesat e municioneve dhe personelit kanë penguar gjithnjë e më shumë mbrojtjen e Ukrainës, sipas Institutit për Studimin e Luftës, një organizatë me bazë në Uashington.
Instituti, megjithatë, vlerësoi se pavarësisht përparimeve ruse, nuk ka gjasa që linjat mbrojtëse të Kievit të shemben.
Gjenerali ukrainas Syrskyi shprehu shpresën që sapo Shtetet e Bashkuara të fillojnë furnizimin me armët e premtuara në kuadër të ndihmës ushtarake që javën e kaluar u nënshkrua nga Presidenti Biden, situata do të stabilizohet në fushën e betejës.
Ai tha gjithashtu se brigada të reja ukrainase po zëvendësonin njësitë më të hershme që kishin pësuar humbje në ato zona./VOA
Top Channel