Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka mbajtur sot fjalën e tij në foltoren e Kuvendit ku foli mbi refuzimin e kryeministrit Edi Rama mbi një interpelancë lidhur me dokumentarin e publikuar nga media italiane “Rai 3”.
Bardhi tha se me këtë refuzim të interpelancës po shkelet kushtetuta, ndërsa shtoi se Kuvendi duhet të distancohet nga sjellja e Ramës ndaj medias shtetëore italiane, duke e konsideruar dokumentarin si “tupërim” për Ramën dhe jo turpërim për Shqipërinë.
Fjala e plotë e Bardhit:
Ky Kuvend sot, edhe në emër të qytetarëve që përfaqësojmë në këtë sallë, duhet të distancohet nga sjellja e Edi Ramës ndaj medias shtetërore italiane Rai 3, por mbi të gjitha duhet të distancohen nga modeli qeverisës që ka ndërtuar Edi Rama, model që turpëron shqipërinë.
Ish këshilltari i Edi Ramës, ish magjistrati i njohur italian Mandoi, na ripohoi atë që kemi thënë si opozitë cdo ditë, që anëtarët e mafias shqiptare, të krimit të organizuar apo narkotrafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve dhe kanë mundësi perfekte për të kushtëzuar veprimet e qeverisë.
E vërteta nuk turpëron Shqipërinë të nderuar kolegë, por sigurisht turpëron Edi Ramën, prandaj është fshehur ka një muaj.
Të thuash të vërtetat lidhur me Edi Ramës, nuk ka aspak të bëjë me imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i Olsit dhe Olsave të shumtë të Edi Ramës, nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Imazhi i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë ata qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që nuk përfshihen në trafik droge, që nuk pasurohen përmes korrupsionit madhor, që punojnë me ndershmëri, pavarësisht vështirësive që i krijon keqqeverisja jote 11 vjeçare, që shkëlqejnë në çdo sektor në Itali dhe çdo vend të botës.
§ Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti që të dënuarit për trafik droge në Itali, i bëri deputetë, kryetar bashkie dhe drejtues të lartë në administratën publike?
§ Cfarë konsiderohet qeveria e një shteti që Ministrin e Brendshëm e ka të dënuar për shpërdorim detyre se në vend që të luftonte, mbështeti familjarët e tij të përfshirë në trafik droge?
§ Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti ku Prokuroria e Posaçme pohon se nuk bashkëpunon dot me Policinë e Shtetit gjatë aksioneve kundër krimit të organizuar, sepse i rezulton që drejtues të lartë të Policisë bashkëpunojnë me krimin e organizuar?
§ Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti që Kryeministri i vendit sipas medias shtetërore belge përmendet në dosjen e trafikantëve ndërkombëtar të drogës që po hetohen në Bruksel si pjesë e përgjimeve SKY ECC?
§ Çfarë konsiderohet qeveria e një shteti ku vëllai i Kryeministrit përdor të njëjtin automjet që përdorin krerët e organizatës së ndërtimit të laboratorit të Xibrakës, i pari laborator kokaine në vend dhe më i madhi në Ballkan?
Përgjigjen e ka dhënë me guxim, profesionalizëm dhe fakte investigimi i televizionit shtetëror italian “Rai 3”. Ky investigim në asnjë rast nuk sulmon Shqipërinë, por nxjerr të vërtetat lidhur me Qeverinë e Edi Ramës, që ka treguar në këto 11 vjet se ka fuqizuar krimin e organizuar dhe dobësuar qytetarin e ndershëm.
Nicola Gratteri, prokuror i Antimafias në Napoli na konfirmoi se: Mafia shqiptare është e fortë sepse vjen nga shtet ku ka një korrupsion të përhapur. Kështu organizatat kriminale që vijnë nga Shqipëria janë menjëherë të pasura, të forta dhe të pushtetshme. Mafia shqiptare tashmë është strukturuar dhe ka arritur të punojë në bashkëpunim me N’Drangheta. Ka disa vite që e shohim edhe në Amerikën e Jugut dhe është e aftë që edhe në mënyrë të pavarur të sjellë në Itali dhe në Europë tonelata kokaine.
Prandaj dhe shqetësimi kryesor i qytetarëve është rikthimi i qeverisjes në shërbimin e tyre.
Edi Rama mund ti fshihet Kuvendit, por kërkesës së qytetarëve që qeverisja të jetë në shërbim të tyre, nuk i fshihet dot për gjatë.
Top Channel